Botërori me 48 skuadra, De Biasi i lumtur: Një mundësi më shumë për ekipet e vogla

Zgjerimi i kampionatit botëror ishte një vendim që u prit mjaft mirë nga opinioni sportiv në Shqipëri. Kjo për faktin se me shtimin e kombëtareve pjesmarrëse, ndizen shpresat e kuqezinjve për të regjistruar kualifikimin e parë historik në këtë kompeticion. Ky vendim i FIFA-s është pritur mjaft mirë nga trajneri i kombëtares shqiptare Gianni de Biasi i cili ka deklaruar për mediat italiane se tashmë shtohen mundësitë e përfaqësueseve të vogla për të qënë pjesë e kampionatit botëror.

“Jam pro këtij vendimi, pasi jam pro ekipeve të vogla. Duke qënë se na shtohen mundësitë për tu përfshirë në kupën e botës, nuk mundet vetëm se ta pres më një buzqeshje këtë vendim. Mendoj që është pozitiv ndryshimi i formatit. Është një mënyrë për të zgjeruar kufijtë e kompeticionit. Europiani na mësoi se edhe kombëtaret e vogla si Shqipëria, Uellsi apo Islanda mund të konkurojnë në nivele të larta.”

Tekniku 60 vjecar u ndal edhe tek përshtypjet e tij personale në stolin e   kombëtares shqiptare.

“Të stërvisësh një skuadër të vogël të jep motivacione të mëdha dhe nuk ka atë përgjegjësi që të atribuohet kur drejton ekipe me peshë. Jeta nuk të lë kohë të mendohesh shumë, duhet të prodhosh vazhdimisht rezultate, dhe ti vendosësh vetes objektiva, pa u kënaqur më atë cfarë ke arritur të realizosh.”

Në mbyllje tekniku i kuqezinjve foli edhe për kombëtaren italiane me të cilën do të përballet në Mars duke vlersuar punën e Venturës dhe elementët e rinj që po ingranohen tek përfaqësuesja e kaltër.