Bujar Osmani: Draft-ligji për gjuhën mbetet i paprekur

BDI dhe LSDM vazhdojnë me konsultat brendapartiake pa zbuluar detaje lidhur me rrjedhën e negociatave për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të mundshme për krijimin e shumicës së re. Nga selia blu thonë se nuk lëshojnë nga versioni i propozuar për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.

“BDI në koordinim me partitë e tjera shqiptare ka përpiluar një draft ligj për gjuhën shqipe dhe që është optimumi që zgjedh çështjen e gjuhës shqipe apo që mbyll këtë temë nga marrëveshja e Ohrit. Teksti i ligjit nuk është çështje e negociueshme. Grupet e punës nuk negociojnë mbi tekstin e ligjit sepse ai është i panegociueshëm , por negociohet a është i pranueshëm apo jo. Mendime jepen, por drafti i ligjit do mbetet i paprekur”, tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

Nga “Aleanca për shqiptarët”, madje thonë se brenda javës do të ketë një takim me përfaqësues të LSDM-në për të sqaruar më konkretisht me ta se cilat janë vijat  e kuqe të dy partive, në mënyrë që më pas Aleanca të vendosë nëse do t’ia japë apo jo nënshkrimet Zaevit. Nga Aleanca mbeten në qëndrimin se duhet zbatuar në përpikëri gjithçka që gjendet në deklaratën e nënshkruar nga tre partitë parlamentare shqiptare. Aleanca e llogarit tryezën e liderëve si projekt kombëtar.