Buxheti, “luftë” amendamentesh mes PDSH-së dhe BDI-së

Edhe pse u paralajmërua si i përgjithshëm, debati i sotëm për propozim buxhetin e vitit 2017, i ngjante debatit për shqyrtimin e amendamenteve. Deputetët e PDSH-së opozitare akuzuan se buxheti i ri është projekt politik ku planifikohen para për projekte jologjike ndërsa nuk ka mjete për kanalin e ujësjellësit në Haraçinë dhe infrastrukturën në rajonet tjera.

Deputetët e partisë shqiptare në pushtet BDI u kundërpërgjigjën duke thënë se janë të vetmit që kujdesen për shqiptarët dhe akuzuan se amendamentet e PDSH-së janë shkruar vite më parë.
Për buxhetin e ri për vitin e ardhshëm janë propozuar 422 amendamente, prej të cilave 250 janë dorëzuar nga PDSH, ndërsa 172 nga LSDM. Deputetët duhet buxhetin ta votojnë deri më datën 12 të muajit të ardhshëm kur edhe duhet të shpërndahet Parlamenti.

Sonja jankovska

 

***

Vazhdon debati për Propozim buxhetin për vitin 2017

 

Në Komisionin kuvendor amë për financim dhe buxhet sot duhet të vazhdojë debati për Propozim buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2017.

Sipas propozimit, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 187,6 miliardë denarësh që është për 7,6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2016. Shpenzimet e përgjithshme janë në nivel prej 206,22 miliardë denarë ose për 4,5 për qind më shumë në krahasim me sivjet. Deficiti buxhetor është paraparë të arrijë 3 për qind nga BPV-ja, gjegjësisht 18,6 miliardë denarë.

Investimet kapitale janë planifikuar në 26,95 miliardë denarë.
Buxheti është punuar në bazë të projeksionit për rritje të ekonomisë prej 3 për qind, ndërsa inflacioni të mbetet në nivel prej 1 për qind.

Propozimin para anëtarëve pardje kur edhe filloi debati e elaboroi ministri i Financave Kiril Minovski i cili tha se debati në Kuvend fillon në disa rrethana specifike politike. “Vendosja e objektivave dhe udhëzimeve ekonomike për vitin e ardhshëm nevojitet për mbajtje të papenguar të stabilitetit ekonomik edhe krahas ngjarjeve politike në vend, që është edhe rekomandim i institucioneve financiare me renome ndërkombëtare”, tha Minovski.

Propozim-buxheti për vitin 2017, si tha ministri në arsyetimin e tij, bazohet në tre postulate themelore dhe ato janë zhvillimi i cili bazohet në vlerën e lartë të investimeve kapitale, mbrojtja sociale e kategorive më të cenueshme të qytetarëve dhe zvogëlimi në faza i deficitit buxhetor që të arrihet konsolidim fiskal në afat të mesëm.

Sipas tij, prioritet kryesor buxhetor është mbështetja e sektorit privat sepse, siç tha, është kyç për zhvillimin ekonomik të vendit dhe është i vetmi i cili mund të krijojë vlerë të re.

Debati rreth propozim-buxhetit për vitin 2017 në Komision sipas Rregullores duhet të përfundojë për 10 ditë.