Çair, Rinia dhe Forumi i Gruas BDI, thirrje për unifikim të votës

Rinia e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Forumi i Gruas në Çair përcollën mesazh të fuqishëm mes të cilit kërkuan me çdo kusht bashkim të votës dhe mospërçarje të saj, duke theksuar se vota e shpërndarë do të thotë humbje e zërit shqiptar në vend.

“Sot gjendemi në pragun e një nga zgjedhjet më të rëndësishme për Shqiptarët në Maqedoni. Vota shqiptare është nën rrezikun e shpërndarjes. Partitë e reja politike nuk kanë kapacitet të mbërrijnë vende deputetësh. Vota për to do të zvogëlojë numrin e përgjithshëm të deputetëve shqiptarë dhe do të rrisë numrin e atyre maqedonas.

Kështu do të prishet proporcioni i marrëdhënieve ndëretnike të cilat sigurojnë përparim për Shqiptarët”, tha Amella Cana, kryetarja e Forumit të Gruas, në Çair.

Ndërsa nga Formumi Rinor, Kushtrim Alla kërkoi nga rinia që sa më në numër të dalë për ta dhënë votën më 11 dhjetor për BDI-në, që ajo votë t’i jepet atyre që ua duan të mirën shqiptarëve dhe atyre që do t’i përfaqësojnë në Kuvend dhe nëpër institucione.

“Vota Shqiptare, sidomos vota e Shqiptarëve të rinj, në ditën e zgjedhjeve, nuk duhet të mbesë në shtëpi e nuk duhet te digjet në partitë e vogla. Çdo votë duhet të ketë vlerë shqiptare dhe të ketë mundësinë të shkojë drejt zgjedhjes së një deputeti. Çdo votë shqiptare duhet të sjellë ndikim të vërtetë për shqiptarët. Çdo votë shqiptare duhet të përkthehet në zë shqiptar në parlamentin e ardhshëm, dhe në mundësi më të madhe për realizimin e interesave shqiptare” u shpreh Alla.

Thirrjet janë bërë në prag të ditëve që po e ndajnë vendin nga zgjedhjet e 11 Dhjetorit, të konsideruara edhe ndër zgjedhjet më të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilat BDI po zhvillon një fushatë pozitive, jo vetëm me premtime parazgjedhore por me projekte dhe program konkret si dhe zotime në formë kushti për formimin e një qeverie të ardhshme.