Cana sot i jep lamtumirën Kombëtares së Shqipërisë

Kapiteni legjendar i kuqezinjve do të përshëndetet me një ceremoni speciale.Ndeshja me Italinë nuk është e rëndësishme vetëm nga ana sportive, por sepse ajo përkon edhe me lamtumirën nga futbolli i luajtur për Lorik Canën, kapitenin legjendë të skuadrës që shkoi për herë të parë në Evropian në vitin e kaluar.Rrugëtimi i tij prej më shumë se 13 vjet me kombëtaren përfundoi pikërisht një vit më parë, në majën e Evropës, në finalet e të parit Evropian për Shqipërinë, por Lorik Cana e ka shkruar emrin e tij mes legjendave të futbollit shqiptar.

Futbollisti që i dha vlerë statusit të kapitenit i ka varur këpucët në gozhdë dhe sot në nder të tij Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të organizojë një ceremoni speciale lamtumire nga futbolli. Për momentin, gjithçka është mbajtur diskrete, por ajo që është e sigurt është se pritet të jetë një ceremoni e veçantë, përpara startit të takimit me Italinë.Me Kombëtaren kuqezi, Lorik Cana numëron 93 paraqitje, më shumë se çdo futbollist tjetër shqiptar.