CANA TEK MARSEILLE, PËR TË NDIHMUAR RINGRITJEN E KLUBIT

Cana tek Marseille, për të ndihmuar ringritjen e klubit

Lorik Cana kthehet te Olimpique Marseille. Drejtuesit e rinj të klubit francez synojnë të kthejnë përsëri lavdinë e viteve të kaluara dhe këtë shpresojnë ta bëjnë duke afruar përsëri ato që cilësohen si “legjenda” nga vetë tifozët.

Aksioneri Frank McCurt ka zhvilluar një takim me tifozët e skuadrës dhe pas propozimit të këtyre të fundit, u kanë bërë ftesë disa prej emrave më të njohur që kanë veshur fanellën e Olimpique Marseilles ndër vite për të ndjekur takimin e nesërm ndaj Lilles në kampionat.

Përkrah figurave shumë të njohura të futbollit botëror si Jean-Pierre Papen, Dragan Stojkoviç, Abedi Pele, Fabricio Ravanelli, Manuel Amoroso, Joselin Angloma dhe Jean Tigana, do të jetë edhe Lorik Cana, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit në këtë klub.

leg

“Legjendat” do të takohen me tifozët e skuadrës që në orët e para të pasdites, duke nënshkruar autografe për to, por nuk do të jetë ky qëllimi i vetëm i ftesës. Ata pritet që të krijojnë një bord këshillimor për klubin, që ta ndihmojë në kthimin e tij mes pretendentëve për trofe.

Nuk përjashtohet mundësia që ndokujt t’i kërkohet të bëhet pjesë e strukturave të reja drejtuese, në një klub i cili po mundohet të riorganizohet.

Ky mund të jetë një rast i mirë për Canën, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë dashurinë e tij për Marseillen, ka familjen që jeton atje dhe tërhiqet nga ideja për t’u bërë një drejtues sportiv. /Insajderi.com