Ç’është ky gur i çuditshëm në Mars?

Roveri i NASA-s Curiosity kohë më parë ka xhiruar një gur në trajtë të çuditshme, që ka shkaktuar debate të ndryshme në internet.

Objekti i vogël me ngjyrë të murrme po ashtu ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve, të cilët thonë se më e besueshme është të jetë ndonjë meteorit, shkruan space.com, transmeton Koha.net.

Ata e kanë quajtur këtë objekt Ejms Nob dhe e kanë testuar përmes spektrometrit në rever për të përcaktuar përbërjen e tij kimike.

Rezultatet kanë treguar se bëhet fjalë për meteorit që përbëhet nga hekuri dhe nikeli. Dimensionet e tij janë 10×14 centimetra.
Ky është guri i katërt me origjinë nga gjithësia, të cilët Curiosity i ka zbuluar në Mars, theksojnë anëtarët e ekipit të misionit.

Roveri në maj të vitit 2014 ka zbuluar dy meteoritë të mëdhenj të hekurtë, me gjatësi rreth dy metrash, të cilët i pagëzuan Litlton dhe Liban, ndërsa një vit më vonë është gjetur edhe objekti i tretë me madhësi të topit të golfit, që mori emrin “Veza e gurtë”.

Sipërfaqja e lëmuar dhe thellimet në “Vezën e gurtë” janë pasojë e kalimit të meteoritit nëpër atmosferë pas shkëputjes para se të ngurosej dhe të binte në sipërfaqe të fortë.