Çështja Çame ngrihet në Gjenevë

Deputetja Mesila Doda ka ngritur Çështjen Çame në Unionin Ndërparlamentar që mblidhet në Gjenevë të Zvicrës.

Znj. Doda para deputetëve nga e gjithë bota, ka rrëfyer historinë e Çamërisë, duke kujtuar Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Duke theksuar se rreth 30 mijë shqiptarë të Çamërisë u përballën me gjenocid, deputetja Doda solli si rast edhe historinë personale.

Doda: Sot, im bir nuk gëzon dot asnjë nga të drejtat që duhet të kishte të trashëguar nga gjyshi i tij. Nuk e ka nënshtetësinë, shtëpinë dhe pronat e gjyshërve të tij, nuk mundet të kërkojë të drejtat që rrjedhin nga kjo trashëgimi, sepse shteti grek mban në këmbë ende një Ligj Lufte të shpallur nga Mbreti i Greqisë në vitin 1940 dhe e përdor këtë si një modalitet juridik që të gjithë trashëgimtarët e shqiptarëve të Çamërisë të mos e përdorin dot kërkimin e të drejtës në gjykatat e shtetit grek dhe më tutje në atë të Strasburgut.

Deputetja e PDIU-së kujtoi se ka dy konventa të OKB-së, atë për parandalimin dhe dënimin e krimeve te Gjenocidit 1945 dhe Konventën për Krimet e luftës 1968, të cilat janë nënshkruar si nga Shqipëria ashtu edhe nga Greqia.

Doda: Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare dhe kanë firmosur në të dyja këto Konventa. Në to përcaktohen qartë detyrimet e shteteve anëtare për të zbardhur dhe dënuar çdo formë të krimeve të luftës dhe ato të spastrimit të një etnie, race apo grupimi tjetër.

Në to përcaktohen edhe mosamnistimi, sepse janë vepra me pasoja të rënda për njerëzimin, ndaj kjo çështje nuk është tabu, duhet të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe të zbardhim njëherë e përgjithmonë çdo vrer e krim mes nesh, sepse e vërteta dhe vetëm e vërteta do krijojë mes nesh atë energji pozitive që do çlironte marrëdhëniet tona. Sepse, e vërteta dhe vetëm ajo do çlironte shtetin fqinj nga demonët e të shkuarës.