Çfarë duhet të ndryshojë Partia Demokratike?

Nga Reshat Kripa

Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje dhe pikërisht këtë dua të jap unë në këtë shkrim. Jam i mendimit se Partia Demokratike duhet të shkëputet nga mentaliteti komunist që shfaqet herë pas here në veprimtarinë e saj. Ajo, detyrimisht, duhet të kalojë më djathtas. Është një krah i majtë që vepron brenda saj, ndonse i kamufluar nën spektrin demokratik dhe është pikërisht ky krah që nuk e lejon Partine Demokratike të fitojë simpatinë e një pjese të shoqërisë shqiptare të djathtë. Pikërisht këtë çështje dua të trajtoj unë në shkrimin tim.

Para disa vitesh kam dëgjuar intervistën që zoti Gabriel Partosh i dha televizionit Top Channel. Midis të tjerave ai tha:

-Në Gjermani dhe në Francë dënohen po deklaruan se nuk është zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më bëri përshtypje të madhe ky fakt, sidomos për Gjermaninë, kombi i lindjes dhe zhvillimit të nazizmit, ku pothuajse pjesa me e madhe e popullsisë dhe sidomos ushtria gjermane e mbështeti me besnikëri atë regjim, gjeti kurajon të hedhë poshtë të keqen e madhe që e vuri në armiqësi me popujt e tjerë të botës.

Ku e gjeti ky popull këtë forcë? Ai e hodhi poshtë të keqen e tij dhe vazhdoi të jetonte me të mirën, duke bërë denazifikimin e plotë të vendit. Është gjenialiteti i këtij kombi që e bëri një gjë të tillë dhe brenda pak viteve, e shpuri Gjermaninë në nivelet ku ndodhet sot.

Po në vendin tonë çfarë po ndodh? A keni dëgjuar ndonjë funksionar të kërkojë falje per krimet e kryera nga regjimi komunist? Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në periudhën e mesjetës. Kancelaria Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga regjimi nazist. Së fundi edhe qytetari gjerman kërkoi falje për krimet e kryera nga i ati në masakrën e Borovës. Në Shqipëri nuk njihet nocioni i kërkimit të ndjesës dhe është pikerisht mentaliteti i majtë komunist që e pengon një gjë të tillë. Asnjë President, asnjë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, asnjë Kryeministër, asnjë Kryetar Partie nuk kërkoi falje për krimet e kryera nga regjimi komunist. Shqipëria nuk e bëri dekomunistizimin e vendit.

Këtë falje unë nuk e kërkoj nga funksionarët e Partisë Socialiste pasi jam i bindur se ajo është e njëjtë me Partinë e Punës prej së cilës u krijua në kongresin e fundit të saj. Por, çuditërisht, kjo nuk u bë edhe nga Partia Demokratike. Përse? Jam, i mendimit se është pikërisht kjo e majtë brenda gjirit të saj që e pengon një gjë të tillë.

Një garë e shfrenuar e disa organeve të njohura të shtypit dhe televizionit, madje edhe të një pjese të politikanëve, për të hymnizuar figurat dhe ngjarjet makabre të regjimit të përmbysur në fundin e vitit 1990. Zyrtarisht të gjitha partitë janë distancuar nga regjimi komunist. Por praktikisht, në të gjitha veprimet e tyre, veprojnë me metodat e atij sistemi. Lufta civile e periudhës së Luftës së Dytë Botërorë që pas vitit 1945 u kthye në luftë të egër klasash, tashti është shndërruar në luftë të vërtetë psikologjike kundër së djathtës së mirëfilltë.

Kush është kjo e djathtë e mirëfilltë? Janë ish fisnikëria e vjetër shqiptare, ish pronarët e tokave, ish tregëtarët dhe borgjezët e përmbysur me dhunë, ish të përndjekurit e djathtë politikë nga regjimi totalitar e të tjerë. Si po trajtohen këto shtresa? Për të thënë të vërtetën, po shihen me syrin e njerkës nga të gjitha partitë. Një gjë e tillë ka sjellë një ndjenjë mosbesimi në radhët e tyre. Ndaj ata nuk dinë se ku ta gjejnë veten dhe kur vjen dita për të shprehur mendimin e tyre qëndrojnë në heshtje dhe nuk marrin pjesë fare.

Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike për të arritur majat? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje dua të bëjë analizën e kësaj partie qysh nga themelimi saj në dhjetorin e vitit 90-të dhe deri më sot. Mendoj se periudha e parë ishte periudha e artë e saj. Ajo pati meritën të përmbysë sistemin totalitar dhe të fillojë ndërtimin e shoqërisë kapitaliste. Në këtë drejtim një ndihmesë të madhe dhanë edhe të përndjekurit politikë. Për këtë edhe u shpërblyen. Një pjesë e tyre arritën sferat më të larta në parti, qeveri, parlament, presidencë apo në shkallë lokale. Një prej tyre është edhe shkruesi i këtyre radhëve. Pati me qindra të punësuar dhe të strehuar. Dyert e shkollave u hapën dy kanatash për këtë shtresë. U miratuan edhe shumë ligje që përmirësonin gjendjen dhe kërkonin rehabilitimin e tyre.

Por jo gjithçka shkoi mirë. Një krah i majtë i kësaj partie vepronte në prapaskenë për pengimin e kësaj ecjeje përpara. Shembull për këtë do të sjell grevën e urisë së të përndjekurve politikë në vitin 1994. Personalisht e kam të qartë se ajo grevë u përgatit nga elementë ultra të djathtë, të nxitur edhe nga e majta, por kam të qartë gjithashtu edhe qëndrimin aspak parimor të Partisë Demokratike ndaj saj. Përdorimi i tepruar i forcës dhe sidomos deklarata famëkeqe e dalë prej saj pa qenë nevoja, është treguesi më i mirë. Ishte pikërisht ky krah i majtë që brenda saj e nxiti këtë veprim dhe që shkaktoi të çarën e parë me këtë shtresë dhe si rrjedhim solli ndarjen e të përndjekurve në dy shoqata që e shikonin njera-tjetrën si armike dhe që njera prej tyre në vitin e zi 1997, si kundërveprim, çuditërisht ra në gjirin e Partisë Socialiste.

Kështu, në atë vit makabër, ndodhën ato ngjarje që do ta kthenin Shqipërinë vite prapa në bashkimin me popujt e tjerë të botës perëndimore. Pasojat tashmë dihen. Po kush e pagoi më shtrenjtë? Përsëri të përndjekurit politikë. Kush u vranë në ato ditë të zeza dhe pas tyre? Ishin të përndjekurit politikë Bujar Kaloshi dhe Besim Çerra, Lekë Çoku dhe Besnik Hidri, Besim Manoli dhe Gëzim Shabani, Valter Harizaj dhe Viron Rapaj, Bashkim Shkurti dhe Fredi Shehu, Skënder Kalenja dhe Adem Shehu, Kujtim Frangu dhe plot të tjerë që ranë në krye të detyrës. Kush më tepër se të përndjekurit i qëndroi pranë Partisë Demokratike në ato ditë të vështira të 1997-s? Edhe më prapa në periudhën 1997-2005 kush e ndoqi hap pas hapi Partinë Demokratike në protesta, mitingje, greva urie, deri sa arriti fitoren e njohur të vitit 2005? Gjithmonë të përndjekurit politikë.

Çfarë ndodhi pas marrjes së pushtetit? Një mjegullnajë e pashpjegueshme mbuloi politikën e ndjekur. Pritej qe të përndjekurit politikë të zinin vendin që u takonte brenda gjirit të kësaj partie. Por nuk ndodhi kështu. Në tetor 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” mbështetur në rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të viteve 1996 dhe 2006, rezolutë që po të ishte zbatuar, me siguri, Shqipëria do të kishte hedhur një hap të sigurtë në zhdukjen e mentalitetit komunist. Ndër pikat e kësaj rezolute do të veçoja ato mbi dënimin zyrtar të figurës së diktatorit Enver Hoxha, bërjen publike të dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste, rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe librave shkollore, kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve më të tmerrshme si dhe ngritjen e një memoriali për nder të viktimave të rëna në luftën kundër totalitarizmit, dhënien e dëmshpërblimit financiar jo si lëmoshë por si detyrim ligjor e të tjera.

Çfarë u bë për zbatimin e këtyre pikave? Çdo gjë pothuajse u barazua me zero. Kaluan tetë vjet dhe nuk u gjet kohë për zbatimin e tyre dhe kjo për shkakun e asaj të majte që vepronte brenda Partisë Demokratike dhe ishte pikërisht ndikimi i kësaj të majte që në vitin 2009 të krijohesh aleanca me një parti të majtë cila, me katër deputetë, mori gati 30% të pushtetit që i dha mundësinë kësaj të fundit në zgjedhjet e vitit 2013 të rriste dukshëm rradhët e saj duke fituar 16 mandate dhe të kalonte në kampin prej nga kishte ardhur. Shenjat për këtë ishin dhënë. Më 14 dhjetor 2010 me nismën e Ministrit të Jashtëm të Lituanisë, zotit Audronius Azubalis gjashtë ministra të jashtëm të Europës lindore dhe pikërisht ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë,

Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë i dërguan një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, ku kërkohej dënimi i krimeve të komunizmit, e cila u mor përsipër për t’u shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga ana e këtij komisioni të BE-së.

Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo e ish-Ministrit të Jashtëm, zotit Ilir Meta, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore, por ajo mungoi. Edhe për këtë njoftim çdo gjë kaloi në heshtje. Nuk u dha asnjë lajm, as nga qeveria dhe as nga mediat. Përse? Kush të mundet le të përgjigjet.

Në Partinë Demokratike vihet re një qëndrim jo shumë i qartë në marëdhëniet e saj me të përndjekurit politikë. Duket sikur sundon tendenca që ngjarjet e së kaluarës dhe veprimtarinë e kësaj shtrese t’i kalojnë në heshtje në mënyrë që me kalimin e kohës të harrohen fare. Një gjë e tillë u shfaq edhe kohët e fundit.

Më 26 korrik 2016 ishte 20-vjetori i rënies së Martirit të Demokracisë, të paharruarit Bujar Kaloshi, një personalitet i shquar i viteve të para pas përmbysjes së madhe. A dëgjuat për ndonjë aktivitet për nder të këtij përvjetori jubilar? Aspak. Madje Departamenti i të Përndjekurve Politikë njoftoi se një ceremoni e tillë do të zhvillohej pasi të kthehej Kryetari i Partisë nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe kjo nuk ndodhi. Përse?

Më 12 shtator 2016 u përkujtua 18-vjetori i rënies së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, madje është bërë zakon që kjo datë të përkujtohet për çdo vit dhe shumë mirë që veprohet kështu. Përse një gjë e tillë nuk bëhet kur martiri i përket shtresës së të përndjekurve politikë? Përse ky dallim ndërmjet dy të rënëve për demokraci aq më tepër kur për rastrin e Bujar Kaloshit ishte një vit jubilar?

Më 23 janar 2016 ishte 71-vjetori i kryengritjes antikomunste, e para kryengritje në vendet e Europës Lindore. Për kremtimin e saj nuk u kujtuan as organet e pushtetit lokal dhe as ato te partive politike. Ishin vetëm ata që i kishin provuar mbi shpinat e tyre tmerret e terrorit komunist, të përndjekurit politikë që morën përsipër ceremoninë e përkujtimit të kësaj ngjarjeje të paharruar. Ku ishin të tjerët?

Më 9 shtator 2016 në Postribë u kremtua 70-vjetori i kryengritjes antikomuniste. Merrnin pjesë autoritetet e larta të bashkisë dhe Partisë Demokratike të Shkodrës por mungonin përfaqësuesit e qendrës nga Tirana. Mund të pretendohet se po në të njejtën ditë ishte mbyllja e fushatës elektorale për zgjedhjet ne Bashkinë Dibër. Nuk bëhet fjalë për funksionarët që ishin pjesmarrës të kësaj fushate por Partia Demokratike ka edhe plot kuadro të tjera të cilët mund të ishin dërguar në përvjetorin e Postribës. Atëherë përse kjo nuk ndodhi? Mos vallë edhe këtu është krahu i majtë që vepron në fshehtësi.

Partia Demokratike ndryshon nga Partia Socialiste edhe nga nje fakt tjetër. Ndërsa në Partinë Socialiste militojnë vetëm elementë me prejardhje të majtë, në Partinë Demokratike ekzistojnë të dy krahët e politikës. Ndaj një gjë e tillë kërkon që kjo parti duhet të ndjekë një politikë afrimi midis këtyre dy rrymave pa bërë dallim nga njëra-tjetra. Jam i mendimit që në një shoqëri me të vërtetë demokratike gjithkush ka të drejtë të ndryshojë qëndrim në rast se vëren që pozicioni i mëparshëm ishte i gabuar. Por, që ndryshimi të jetë i plotë duhet të hedhë poshtë më parë, siç e përmenda në fillim të këtij shkrimi, të keqen e tij dhe të vazhdojë të jetojë me të mirën. A e ka bërë kush këtë? Deri tani nuk kam dëgjuar asnjë. Për më tepër disa përpiqen ta kalojnë një fakt të tillë në heshtje. Një gjë e tillë nuk është e moralshme por, fatkeqësisht, ky fenomen po ndodh në politikën shqiptare.

Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, atyre për pushtetin lokal të vitit 2015 dhe zgjedhjet e fundit në Dibër treguan se Partia Demokratike duhet të bëjë një kthesë të fortë në politikat e ndjekura. Duhet të ringjallë frymën e pajtimit kombëtar ndërmjet shtresave të ndryshme, në mënyrë që të mos përsëriten më defektet e përmendura më sipër që të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërt kjo do të jetë një katastrofë për të dhe për të ardhmen e vendit.