Çfarë gjendet në bunkerin nëntokësor në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë (FOTO)

img_2211 img_2212 img_2213 img_2214 img_2215[tonjoo_spb]

Në oborrin e Ministrisë së Brendshme u çel dje për publikun “Bunkeri Muze”. Kryeministri tha se hapja e këtij bunkeri ka një mision; kujtesën dhe nderimin e viktimave të regjimit. “Sepse cilido që harron të kaluarën është i dënuar që në këtë jetë ta rijetojë atë”,- u shpreh ai.

Gjatë protestave të 8 dhjetorit të vitit të kaluar, opozita dhe një pjesë e ish të përndjekurve sulmuan hyrjen e këtij bunkeri dhe akuzuan Edi Ramën se përmes tij po shprehte nostalgjinë për regjimin. Kryeministri iu përgjigj edhe këtyre akuzave.

Bunkeri muze, i cili është pagëzuar me emrin “Bunkart 2”, është ngritur në ambientet e ish-strehimit antiatomik të Ministrisë së Brendshme, ndërtuar në vitin 1982-1986, i cili në atë kohë njihej me emrin e koduar “Objekti Shtylla”.

Objekti ka imazhin e një kupole me drita të cilat reflektohen në portretet e mbi 100 martirëve që u ekzekutuan me gjyq e pa gjyq gjatë viteve të regjimit komunist. Në dhomat e para të muzeut janë të ekspozuara foto, video dhe dokumente të kohës, nga krijimi dhe funksionimi i xhandarmërisë dhe policisë në vitet para Luftës së Parë Botërore, dhe pas saj deri në shpalljen e mbretërisë.

Ndërkohë, në vazhdim gjenden të ekspozuara imazhe të historisë së Policisë Popullore në vitet ‘44-‘91. Një nga dhomat e këtij muzeu u është kushtuar martirëve që dhanë jetën si kundërshtarë të regjimit komunist.

Objekte të tjera si aparate përgjimi, radio apo edhe deri në dhoma që do të përdoreshin për rregullime estetike, janë ajo çka është ofruar në bunkerin muze në oborrin e Ministrisë së Brendshme.