Cila është xhamia e parë në Shqipëri?

Fillimet e artit e të arkitekturës islame në qytetet shqiptare parimisht duhen kërkuar pas fillimit të islamizimit të popullsisë qytetare. Në përshtatje me këtë kriter, vijnë edhe burimet historike, të cilat deri para pak kohësh caktonin si faltoren më të hershme islame në Shqipëri xhaminë e Fatihut, ndërtuar mbi kullën e hyrjes së kalasë së Elbasanit në vitin 1466. Po atë vit që u ndërtua edhe vetë kalaja. Meqë u ndeshën shenja se faltoret e para islame janë ndërtuar para fillimit të procesit të islamizimit të popullsisë, kjo tezë ra. Faltoret më të hershme u ngritën menjëherë pas sundimit osman: jo për nevojat e popullsisë, por për ato të garnizoneve ushtarake.

Sipas pikëpamjes së historiografisë shqiptare, Berati, Vlora, Kanina e Gjirokastra u morën nga ushtritë osmane në vitet 1417-1419; në kohën e fushatave që ndërmori Mehmeti I Çelebiu për sundimin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se xhamitë më të lashta në këto qytete nuk mund të jenë ndërtuara para sundimit të Mehmet Çelebiut. Por as ky pohim tani nuk qëndron.

Nga defteri mufasa i sanxhakut, Arvanid, i hartuar në vitin 835 të hixhrit (1431-1432) del në mënyrë të argumentuar se në krahinën e Beratit, Skraparit, Tomoricës, etj., regjimi i timarit është vendosur qysh në kohën e Mehmetit I Çelebiut, domethënë para vitit 1421 kur ai vdiq. Por vendosja e regjimit të timarit nënkuptonte pushtimin ushtarak të këtyre krahinave në një kohë të mëparshme. Gjithashtu, nga disa shënime që ndodhen në dy defteret më të hershëm mufasal që disponohen deri më sot, rezulton se në disa qytete të Shqipërisë, si në Krujë, Korçë, Përmet, garnizonet osmane duhet të jenë vendosur qysh në kohën e sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe me shumë probabilitet në vitet e fundit të shekullit IV.

Shënimet flasin gjithashtu për praninë e ushtrive osmane në kazatë e Korçës, Përmetit dhe Krujës, por kjo nuk përjashton mundësinë e pranisë së garnizoneve perandorake në fund të shekullit XIV edhe në qytetin e Beratit, Vlorës, Kaninës, apo të Gjirokastrës. Si rrjedhim, në disa nga qytetet e viseve shqiptare prania e faltoreve islame duhet kërkuar qysh në fund të shekullit XIV.

Gjurmimet na kanë çuar në përfundimin se faltorja më e hershme islame e diktuar deri më tani i takon të jetë pikërisht në qytetin e Beratit, pranë akropolit të kalasë, e quajtur Xhamia e Kuqe. Për identifikimin dhe datimin e këtij objekti ka ndihmuar në radhë të parë përshkrimi Evlija Çelebiut, gjatë vizitës së tij të dytë në Berat, më 1671. Sipas tij, në kalanë e Beratit ai ka parë dy faltore islame, njëra pranë akropolit e quajtur e Bajazit Khanit dhe tjetra brenda në akropol, e quajtur Xhamia e Hunqarit, që i thonë ndryshe edhe Fotëhije. Në fakt, akoma deri më sot, në kalanë e këtij qyteti janë gjithsej rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e Kuqe”, mesa duket prej përdorimit me shumicë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra “e Bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë. Për faltoren e Bajazit Khanit, Çelebiu na tregon se ajo është një ndërtesë e vjetër e stilit antik, e gjerë, e mbuluar me tjegulla dhe me minaren e ndërtuar prej qargjiri.

Aktualisht në ditët e sotme Xhamia e Kuqe ruhet në formë rrënoje pranë rrethimit jugor të kalasë së Beratit. Muret janë shembur vetëm pak kanë mbetur mbi tokë, ndërsa minarja qëndron ende në këmbë nga teknika më e fortifikuar e ndërtimit dhe materiali i punimit të saj është në ngjyrë të kuqe nga ka marrë edhe emrin.

Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve me përmasa 8.25-7.50 m dhe portiku me brinjë më të shkurtër 4.90 m, ndërsa brinja lindje-perëndim nuk mund të përcaktohet. Në sallë futesh nga porta në murin verior, shpatullat e së cilës nuk ruhen sot. Përballë saj ndodhej mirabi, në të djathtë të tij ruhen gjurmët e minberit. Dyshemeja është e ndërtuar me me rrasa guri.

Një shtresë më e vjetër, me tulla të vendosura mbi harasan, ruhet 60 cm mbi dysheme. Minarja ruhet më tepër dhe i shton vlerat këtij monumenti, ajo është e ndërtuar me teknikën e klausonazhit dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër. Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbëshare. /Drita Islame/