Çka na thonë ëndrrat?

Gjumi

Keni ëndërruar ndonjëherë sikur po bini, sikur dikush po ju ndjek apo sikur dështuat në një provim? Nëse po nuk jeni të vetmit.

Në një sondazh të realizuar së fundmi rreth ëndrrave më të zakonshme, 45 për qind e të intervistuarve thanë se kishin ëndërruar sikur kishin dështuar në një provim. Të dhënat tregojnë se më të prirura për të parë një ëndërr të tillë janë fëmrat, duke sugjeruar kështu se ideja e shtypjes dhe patriarkatit i ndjek ato edhe në gjumë.

Ky database (bazë të dhënash) u krijua nga Dr. Kelly Bulkeley, një studiuese ëndrrash. Për të pasqyruar përfundimet e saj, Bunkeley formuloi një listë të shkurtër për britaniken “The Guardian”, për ëndrrat më të zakonshme dhe kuptimin e tyre.

Të ëndërruarit sikur dikush ju sulmon apo ju përndjek

Kjo është një ëndërr e zakonshme që shihet si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat. Kjo temë lidhet me trauma gjatë fëmijërisë, që njerëzit i kujtojnë gjatë jetës. Ajo ka mundësi të ndryshme shpjegimi simbolike. Agresori mund të tregojë një frikë të brendshme apo një dëshirë që përfaqësohet nga egoja e brendshme. Mund të përfaqësojë dikë apo diçka në botën e jashtme që është kërcënim për personin që e ëndërron.

Shkolla, mësuesit, të studiuarit

Ata që kanë pasur një proces formal edukimi, shpesh ëndërrojnë për këtë vite më vonë. Pjesëmarrësit në sondazh ishin kryesisht studentë në universitet, ndaj dhe shkolla ishte një shqetësim i rëndësishëm, sidomos për femrat. Ëndrrat që lidhen me shkollën nuk janë një fenomen modern. Ka prova që tregojnë se kinezët e lashtë kishin ëndrra dhe makthe për ekzaminimet e shërbimit civil, që përcaktonte fatin profesional të një individi.

Eksperiencat seksuale

Ekziston një diferencë domethënëse sa i përket frekuencës mes meshkujve dhe femrave, ku meshkujt janë ata që kanë më shumë ëndrra me përmbajtje erotike. Është e vështirë për të përcaktuar nëse kjo është diçka natyrale apo e ushqyer. Një ndër shpjegimet e këtyre ëndrrave është një shprehje e instiktit të fortë biologjik të riprodhimit dhe sfida për ta kënaqur këtë instikt.

Të rënit nga lartësitë

Ëndrrat sikur po bini nga një lartësi janë më të zakonshme se ato të të fluturuarit. Ëndrra të tilla mund të ndodhin kur ka një ndryshim mes fazave të gjumi, kalimi nga njëra në tjetrën. Nëse ekziston një aktor psikologjik, ëndrrat sikur po bini kanë disa kuptime simbolike, siç mund të jetë një ndryshim i menjëhershëm në jetë, humbje e dikujt apo trauma.

Të përpiqesh të bësh të njëjtën gjë në mënyrë përsëritëse

Ndonjëherë mendja e njeriut kur është në gjumë ngecet në një fazë përsëritëse gjysmë në ëndërr, që zakonisht  përfshin një situatë stresuese nga jeta e përditshme, që mund të gjenerojë atë ndjenjën e frustrimit, pafuqisë dhe frikës.