Clinton epërsi të lehtë ndaj Trump

Në SHBA, anketat zgjedhore në shkallë vendi i japin kandidates demokrate një epërsi të lehtë ndaj rivalit republikan Donald Trump. Disa anketa të publikuara sot e tregojnë zonjën Clinton me një epërsi prej 1 deri në 3 përqind ndaj rivalit Trump.

Disa anketa të tjera tregojnë se zonja Clinton ka më shumë shanse t’i fitojë zgjedhjet e 8 nëntorit.

Fushata e gjatë e zgjedhjeve presidenciale, e shoqëruar me sulme të ashpëra të kandidatëve ndaj njeri tjetrit, u acarua përsëri, kur drejtori i FBI-së James Comey, njoftoi për fillimin e një hetimi të ri për mijëra emaile të reja të gjetura në kompjuterin e ish-bashkëshortit të një ndihmëseje të afërt të zonjës Clinton.

Hetuesit siguruan një urdhër bastisjeje dhe po përpiqen të përcaktojnë në se emailet lidhen me mënyrën se si e ka trajtuar zonja Clinton materialin që lidhej me sigurinë kombëtare, në periudhën kur ajo ishte sekretare shteti nga vitet 2009, deri në 2013.

Ndërsa demokratët e denoncuan faktin që zoti Comey e rihapi hetimin, zoti Trump tha në një miting me mbështetësit e tij në Miçigan, se zoti Comey ishte treguar shumë i guximshëm që kishte rihapur çështjen emaileve të zonjës Clinton. “Ai bëri atë duhej”, – tha zoti Trump.

Ndërsa zonja Clinton i tha përkrahësve të saj në një miting në Ohajo se ajo ka bindjen se hetuesit do të arrijnë në të njëjtin përfundim në hetimin e ri, si edhe në atë të mëparshmin, në korrik. “Nuk kemi të bëjmë këtu me një çështje ligjore”, – tha zonja Clinton.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Presidenti Barack Obama, i cili ka zhvilluar disa herë fushatë në mbështetje të zonjës Clinton dhe që e ka nënçmuar shpesh zotin Trump, nuk do ta mbronte dhe as do ta kritikonte zotin Comey, për rihapjen e hetimit. Zëdhënësi Earnest tha se zoti Obama mendon se zoti Comey “është njeri me integritet”./Zeri i Amerikes/