CNN largon nga puna komiken për shkak të fotos me kokën e Trump

 

Televizioni amerikan CNN ka shkarkuar të mërkurën komiken Keti Grifin për shkak të fotografisë me kokën e përgjakur të presidentit amerikan Donald Trump.

Grifin (56), e cila ishte drejtuese e programit të Vitit të Ri të CNN në dhjetë vjetët e fundit, dje ka kërkuar falje për shkak të fotografisë dhe ka thënë se ka lutur fotografin Tajler Shilds që ta heqë nga interneti, por kjo ishte e pamjaftueshme që ajo të mbajë punën në CNN, transmeton  AFP.

Trump sot më herët ka porositur komiken se duhet të turpërohet për shkak të fotografisë, transmeton AP.

Edhe zonja e parë, Melania ka kritikuar foton shqetësuese, duke vënë në pyetje shëndetin mental të komikes Grifin, e cila dy herë ka fituar shpërblimin “Emi” për shoun “Jeta ime në listën D”.  Fotografia ka shkaktuar reaksione të bujshme dhe shumë përdorues të rrjeteve shoqërore kanë kërkuar që Grifin të arrestohet.