Ç’po gatuan De Biassi për ndeshjen me Izraelin?

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit ka publikuar një listë me 26 lojtarë për ndeshjen kundër Izraelit që luhet në 12 nëntor në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Që në pamje të parë janë disa emra që bëjnë përshtypje.

Së pari çështja “Kaçe”

Mungojnë mesfushorë të rëndësishëm në këtë ndeshje. I pari është Ergys Kaçe. “Është një zgjedhje teknike e imja”- tha De Biasi duke mos dhënë më shumë detaje. Është e njohur përplasja e lojtarit me trajnerin në ndeshjen me Spanjën. Kaçe nuk e mirëpriti dërgimin e tij në tribunë dhe reagoi në rrjetet sociale. Shumë deklarata u bënë. Kaçe tha se sa të jetë De Biasi në kombëtare nuk do të vijë më. Disa prej deklaratave, pas u mohuan, por çështja “Kaçe” mbetet në kombëtare. Aftësitë e shqiptarit që luan te Viktoria Plzen janë të pamohueshme, por ai nuk e ka kënaqur asnjëherë trajnerin italian. Mesa duket ky mos-grumbullim ka shtuar më tej hendekun.

Jashtë listës edhe Gashi.

Shkëlzen Gashi ka njohur sërish shkëlqimin në SHBA me skuadrën e tij Kolorado Rapids. Ai ka shënuar gola të rëndësishëm për këtë ekip. E megjithatë është hera e dytë që De Biasi nuk e grumbullon në kombëtare. Zyrtarisht është thënë se Gashi e ka të vështirë të vijë në kombëtare për shkak të rrugës së gjatë dhe diferencës së orës. Këtë herë De Biasi tha se bëhej fjalë “për një çështje teknike”.

4 portierë

Nëse i hedh një sy listës shihen në listë 4 portierë. Zakonisht, të gjitha skuadrat mbajnë nga 3 portierë, por De Biasi ka shtuar edhe një më shumë. Megjithëse është afruar së fundmoi Strakosha nuk është larguar asnjë nga portierët e dytë që vijnë nga Superliga, Hoxha dhe Shehi.

Rasti Lenjani dhe Ajeti

Ermir Lenjani nuk luan asnjë minutë te Rennes. Stërvitet me ekipin e dytë të skuadrës franceze. E megjithatë merr një vend në kombetare. “Po kalon një moment të vështirë te skuadra e tij. Shpresoj që në janar të gjejë një skuadër ku mund të aktivizohet. Është një djalë me personalitet dhe i garshëm të marrë detyra sa herë i kërkohet”- tha De Biasi në konferencë për shtyp.

E njëjta gjë edhe për mbrojtësin Arlin Ajeti. Edhe ai nuk ka gjetur dot asnjë hapësirë te Torino në Seria A. Shqiptari pësoi një lëndim në nisje të sezonit dhe tashmë megjithëse i rikuperuar nuk ka ende asnjë minutë në këmbë me skuadrën e tij, por e gjen sërish një ftesë për komebatren

Nuk mungon Sadiku

Sulmuesi Armando Sadiku është i dëmtuar prej muajsh. “Sadiku po punon te Spitali i Juventus ne Torino. Do të tentojmë ta rikuperojmë. Pasi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne” – tha De Biasi.

Cilët po shkëlqejnë në kombëtare

Lista e De Biasit ka edhe disa lojtarë që po shkëlqejnë aktualisht. I pari është portieri Etrit Berisha që prej 3 ndeshjesh e mban portën të paprekur në Serie A.

Në mbrojtje Mërgim Mavraj po e vë vazhdimisht emrin e tij në 11 më të mirët e Bundesligës në Gjermani. Edhe Elseid Hysaj në krahun e djathtë ka fituar mjaft siguri në ndeshjet e fundit me Napolin. Ansi Agolli mbetet një lider në skuadrën e tij të Karabakut në  Azerbajxhan.

Në mesfushë Ledian Memushaj është një nga të pazëvendësuarit e Peskarës pavarësisht se skuadra po qëndron në fund të tabelës në Serie A. Mesfushori tjetër i krahut Odise Roshi padyshim nga më të mirët e Terek Grozni në Rusi. Taulant Xhaka dhe Burim Kukeli janë konstantë në Zvicër. Amir Abrashi në Gjermani është konsideruar një lojtar kyç te Freiburg.

Në sulm ata që po shkëlqejnë për momentin janë Bekim Balaj në Rusi dhe Azdren Llullaku në Rumani.