Daja i Adem Jasharit, kandidat për kryetar të Skënderajt (Foto)

Tash kur kemi hyrë në vitin zgjedhor për zgjedhjet lokale, partitë në Kosovë, kanë nisur t’i bëjnë kalkulimet për kandidatët më të fuqishëm që do t’i fusin në garë sivjet.

Një vëmendje e veçantë kësaj radhe do jetë edhe në Skënderaj, që njihet ndryshe edhe bastioni i PDK-së.

Por duket se dega e kësaj partitë e ka të përfunduar çështjen e kandidaturës. Meqenëse Sami Lushtaku, për shkak të rrethanave që ndodhet, nuk do jetë në garë, postin e tij si kandidat për kryetar të Skënderajt, pritet ta marr Faruk Geci.

Burime të “Magazina.al” brenda PDK-së, bëjnë me dije se Geci, që ka një begraund studimi ne fushën e shkencave te Sigurisë, llogaritet si kandidatura më serioze dhe e vetme për Skënderajn nga ana e PDK-së.

Ata që kanë propozuar Gecin për kryetar të kësaj komune, kanë numëruar shumë arsye pse ai duhet të jetë në krye të Skënderajt. Ata kanë përmendur edukimin ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes në Tirane, Doktoraturën për Shkencat e Sigurisë në Slloveni, si dhe kontributin e familjes dhe atij personalisht në PDK, qe nga themelimi.

Por është edhe një element shumë më rëndësi që do ta bëjë Gecin kandidat të fuqishëm. Përparësia tjetër e tij është lidhja familjare që ka me familjen Jashari.

Komandanti Legjendar, Adem Jashari, është nip i familjes së Farku Gecit, ndërkohë babai i Farukut, Jetullah Geci, ish komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”, ka qenë një ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të Adem e Hamëz Jashari.

Një mbështetje për Gecin vjen edhe nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka raporte të ngushta shoqërore me babain e Farukut, Jetullah Gecin; raporte këto që datojnë qysh nga lufta në Kosovë.

Kadri Veseli, në odën e Jetullah Gecit

Kjo dëshmohet edhe përmes fotografive të siguruara nga Magazina.al ku Veseli shihet në odën e Jetullah Gecit.Aktualisht, Faruk Geci i cili flet anglishten dhe gjermanishten, mban pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Politika në FSK dhe është koordinator i transformimit të FSK-së në FAK. /Magazina.al/