De Biasi: I kënaqur me lojtarët dhe rezultatin

Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, shprehu kënaqësinë për tre pikët e marra ndaj Lihtenshtejnit, që mbajnë kuqezinjtë në krye të grupit me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Duke folur për mediat pas ndeshjes, tekniku italian u shpreh se ishte një duel i vështirë dhe se ishte i kënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës.

“Ishte ndeshje e vështirë, duhet ta luanin në mënyrë të zgjuar dhe me ritmin e duhur dhe besoj se ja dolëm mbanë dhe pse mund të kishim një tjetër rezultat. Duhet ta fitonim me çdo kusht këtë ndeshje dhe duhet të luanim me shumë forca sulmuese dhe besoj se e bëmë diçka të tillë. Ishim sulmues në shumë momente të kësaj sfide dhe shpeshherë u shfaqëm të rrezikshëm. Ku nuk luanim ndërkohë siç e kishim parashikuar ndeshjen, atëherë hasnim vështirësi. Gjithsesi jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë”, – tha De Biasi teksa vlerësoi në veçanti edhe protagonistët që i dhanë fitoren Kombëtares me golat e tyre.

“Jam i lumtur edhe për Hykën që shënoi gol dhe na zhbllokoi ndeshjen. Më bëhet qejfi edhe për Balajn që shënoi dhe ruajti kështu vazhdimësinë e golave. Do doja të kishte shënuar dhe Cikalleshi sepse një sulmues, goli e ndihmon”, – shtoi De Biasi.

Ndërkaq, trajneri foli edhe për shanset që ka Shqipëria në këto eliminatore, ndërsa theksoi se kuqezinjtë kanë përballë dy rivalë shumë të fortë: “Sa i përket vendit të parë në grup para Spanjës e Italisë, ndihem si përpara ndeshjes dhe jam i kënaqur për faktin që jemi të parët. Sepse jo shpeshherë ka ndodhur që Shqipëria të jetë e para në eliminatore, por nga anët e mia thuhet që të vdekurit numërohen në fund të betejës. Italia dhe Spanja janë favoritet kryesorë për dy vendet e para, për ne nuk është asnjë ndeshje e favorshme. Të jemi në vend të parë është kënaqësi e madhe, por kemi dy rivalë të fortë. Për Spanjën do fillojmë të flasim nesër”,- tha De Biasi.