Debati Clinton-Trump është parë nga 84 milionë shikues

Debati i parë presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump ka thyer rekordet e shikueshmërisë. 84 milionë persona e kanë ndjekur debatin drejtpërsëdrejti vetëm nga televizionet amerikane ndërkohë që miliona të tjerë e kanë ndjekur atë përmes transmetimeve online. Rekordi i shikueshmërisë së një debati presidencial mbahej nga përballja e vitit 1980, mes Jimmy Carter e Ronald Reagan.

Debati presidencial mes Hillary Clinton dhe Donald Trump është parë nga 84 milionë shikues në televizionet amerikane, duke thyer rekordin e vendosur 36 vjet më parë. Debati i Jimmy Carter dhe Ronald Reagan në 1980 kishte tërhequr 80.6 milionë shikues.

Këto shifra janë marrë nga 13 stacionet televizive amerikane të cilat transmetuan drejtpërsëdrejti debatin, ndërkohë që shifrat totale janë shumë herë më të mëdha. Miliona persona e kanë ndjekur debatin përmes transmetimeve online nga vende të ndryshme. Nielsen, publikuesi i këtyre të dhënave, tha se shikuesit e kishin ndjekur të plotë debatin i cili zgjati 98 minuta.

Zoti Trump i kishte shprehur mbështetësve të tij besimin se debati do të kishte një prej audiencave më të mëdha në historinë e televizionit, por ai e kishte përballuar këtë përgjegjësi duke e konsideruar debatin si një bisedë familjare.

Përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, do të zhvillohen edhe dy debate të tjera; në 9 dhe 19 tetor. Debati i 9 nëntorit do të garojë për shikueshmëri me një ndeshje të Super Bowl-it,që në 2015 shënoi një rekord të audiences, duke tërhequr plot 114.4 milionë shikues.

Sondazhet paraprake pas debatit të parë, nxjerrin fituese Hillary Clinton. Sipas saj, debati nxori në pah ndryshimet e rëndësishme mes saj dhe rivalit republikan. Ndërkohë, në ditët në vazhdim pritet të publikohen vëzhgime e sondazhe më rigoroze, teksa Trump ka paralajmëruar se në debatin e ardhshëm, ai do të jetë më i ashpër ndaj rivales demokrate.