Dëgjohen 7 dëshmi për “Lagjen e Trimave” – në radhë politikanë e zyrtarë të MPB-së (VIDEO)

Politikanë dhe funksionarë aktual shtetëror do të thirren në cilësinë e dëshmitarëve për rastin  e Lagjes së Trimave të 9 dhe 10 majit të dy viteve më parë. Këtë e theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi, duke thënë se në seancat e radhës do të thirren ata, pasi që të deklarohen në gjykatë grupi prej 37 të akuzuarve.  Raufi i pyetur nga gazetarët ka konfirmuar edhe emra të personaliteve publike

“A gjendet Ali Ahmeti  në listë? Mendoj se po. Artan Grubi? Po. Ejup Alimi? Secili prej personave, nuk mund të them që këto kanë qenë në telefonatat e përgjuara, secili që ka marrë pjesë në telefonata të përgjuara sigurisht do të propozohet. Sadulla Duraku? Nuk mund tju them konkretisht por këto persona që i përmenda do të jenë sigurisht”, tha Raufi.

Sipas avokatit Raufi, bëhet fjalë për 50 dëshmitarë të thirrur nga avokatët, mes tyre edhe përfaqësues të partive politike, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të MPB-së, ku ai konfirmon se në listën e dëshmitarëve që do të thirren është edhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit Publik, Mitko Çavkov, të njëjtën detyrë që ka mbajtur edhe gjatë ngjarjeve të 9 dhe 10 majit dhe menjëherë pas saj u emërua ministër i MPB-së.

Çavkov i pyetur sot nga gazetarët se si dëshmitarë që është përmendur nga avokatët mbrojtës të të akuzauarëve, a do ti përgjigjet ftesës, ai ka shprehur gatishmëri.

“Sipas ligjit për procedurë penale për secilin person që konstatohet se duhet të dëshmojë, është i obliguar të paraqiten në gjykatë”, tha ai.

Në seancën që vazhdoi në sallën e Gjykatës Supreme  dëshmuan 7 dëshmitarë të propozuar nga pala mbrojtëse e të akuzuarve. Dëshmitari i parë, i punësuar në MPB dha dëshmi me kërkesë të akuzuarit Arsim Bajrami.

“Herën e fundit, të akuzuarin, Arsim Bajramin e kamë parë më 9 maj në fshatin Reçicë, i cili më tha se ka qenë i ftuar në SPB Kumanovë. Bajrami, derisa ka qenë zyrtar policor i ka kryer urdhrat ashtu siç është dashur”, tha Igor Mitevski, pjesëtar i SPB Kumanovë.

Njëri nga dëshmitarët, Marçillo Stefanovski ka dëshmuar për të akuzuarin Irfan Luftiu. 

“Irfani më 8 maj në orët e mbrëmjes ka qenë në vendin e tij të punës si berber ku i ka ofruar shërbimet djalit të tij”, tha ai.

Në seancën e sotme është dëshmuar edhe për të akuzuarin tjetër Besnik Ajdini, që sipas familjarëve ai gjatë gjithë kohës ka qenë me ta dhe nuk është i përfshirë aspak në ngjarjet e Kumanovës.

Procesi gjyqësor për Lagjen e Trimave pritet të vazhdoj të premten, kur 37 të akuzuarit për herë të parë do të dëshmojnë para gjykatës, lidhur me ngjarjen e 9 dhe 10 majit në këtë lagje të Kumanovës, ku ishin vrarë 8 policë dhe 10 pjesëtarë nga grupi i armatosur./Tv21