Deklarata shokuese e terroristit të ISIS: Si do i vrisja fëmijët me akullore të helmuara dhe bomba në Agjencinë e Inteligjencës

Kisha planifikuar të vrisja fëmijët e kopshtit me akullore të helmuar”; kjo është deklarata shokuese e një adoleshenti, i cili është zbuluar se është një nga terroristët e ISIS-it. Djaloshi 17-vjeçar kishte planifikuar të vriste fëmijët e një kopshti në Gjermani.
Plani mizor kishte dalë në dritë gjatë dëshmive të dy adoleshentëve të Shtetit Islamik, të cilët hodhën në erë tempullin Sikh në qytetin industrial të Essen, gjatë festimeve të një dasme. Mohammed O., 17 vjeç, ishte kryetari i grupit terrorist të sulmeve në prill, ku vdiqën 4 persona. Ai kishte planifikuar gjithashtu të helmonte fëmijët e kopshtit dhe më pas të hidhej në erë.
Yusuf T., 17 vjeç, ishte kryetari i një tjetër grupi bombardues. Adoleshentët kishin krijuar grupin e tyre vrasës në “Whatsapp” dhe i kishin ndërtuar bombat duke i parë në internet. Ata u kapën, pasi hodhën bombat dhe plani i tyre u zbulua në një letër që Mohammed i kishte dërguar Yusuf gjatë kohës që ishte në burg. Por ky duket se nuk ishte i vetmi rrezik që i kanosej Gjermanisë, që aktualisht është një nga shtetet më të fuqishme në Europë. Gjatë ditës së djeshme, mediat gjermane njoftuan se ishte ndaluar një spiun tradhtar.
Punonjësi i Agjencisë Gjermane të Inteligjencës, “BFV”, është arrestuar pasi ka bërë deklarata ekstremiste islamike dhe ka shpërndarë materialet sekrete të zyrës ku punonte.
Oficeri i zbulimit gjerman është vënë në pranga pasi dyshohet se bashkëpunonte me ekstremistët islamikë për një komplot, për të hedhur në erë selinë e Agjencisë së Inteligjencës në Këln. Mediat ndërkombëtare raportojnë se oficeri, dyshohet të ketë komunikim me terroristë të ISIS-it. “Ai është përgjuar nga ana e Agjencisë së Inteligjencës gjermane dhe përmes një emri të rremë, oficeri në fjalë ka ofruar informacion të brendshëm për persona që kanë qenë vërtet të rrezikshëm”, tha një zëdhënës i agjencisë së inteligjencës për “AFP”.
Po ashtu ka dyshime se oficeri gjerman ka pasur kontakte me struktura të islamistëve në Gjermani.
Të njëjtat burime raportojnë se familja e ish-oficerit të Inteligjencës thuhet se nuk dinte asgjë për faktin se ai ishte konvertuar në mysliman dhe se kishte pasur gjithashtu prirje radikale. Gjermania është në gatishmëri të madhe pas disa sulmeve terroriste të ndodhura gjatë verës. ISIS-i mori përsipër dy sulme gjatë muajve verorë, në një tren në Uerzburg dhe në një festival muzikor në Ansbach, ku u plagosën 20 persona në total. Një tjetër sulm i rëndë ishte ai i Mynihut, ku 9 persona u vranë nga ana e një 18- vjeçari gjermano-iranian, i cili kishte qenë më herët në trajtim psikiatrik.