Delegacion i OEMVP-së në takimin e Rrjetit të Bizneseve Botërore Shqiptare në Nju-Jork

 

Një delegacion i lartë i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në takimin vjetor tradicional të Rrjetit të Bizneseve Botërore Shqiptare që mbahet në Nju-Jork.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në SHBA, siç njofton Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore e ka organizuar Forumin e II-të Ekonomik dhe takimet e ashtuquajtura B2B në mes të përfaqësuesve të bizneseve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe bizneseve të tjera të shqiptarëve në vendet e Europës, ku janë edhe degët e këtij rrjeti, i cili funksionon në katër kontinente dhe në gjithsej 22 shtete.

Ky forum u realizua pardje dhe dje në qytetin më të madh dhe më të zhvilluar në botë, metropolin e Nju-Jorkut, ku jetojnë e ushtrojnë bizneset e tyre, biznesmenë dhe afaristë mjaft të suksesshëm shqiptarë.

Kryetari i OEMVP- së, Nebi Hoxha tha se në Amerikë do ta çojnë përvojën e mirë dhe të suksesshme të biznesmenëve shqiptarë të Maqedonisë, por edhe do të marrin njohuritë dhe përvojat e suksesshme të rrjeteve të tjera dhe të biznesmenëve shqiptarëve nga vendet e ndryshme të globit.

Qëllimi i këtij forumi është krijimi i urave të bashkëpunimit mes bizneseve të ashtuquajtura vendore, në Shqipëri e Kosovë, viset shqiptare në Ballkan, dhe atyre të diasporës, pra organizatorit të këtij forumi ekonomiko financiar në SHBA dhe Kanada.

Në këtë forum marrin pjesë përfaqësues nga qeveritë e shteteve të Kosovës, Shqipërisë, Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, disa nga afaristët më të suksesshëm shqiptarë nga 25 vende të botës, duke përfshirë Australinë, SHBA dhe Kanadanë, si dhe kongresmenë e senatorë, afaristë e biznesmenë nga SHBA -ja.

Gjithashtu dje u mbajt edhe takimi B2B Informues – Konferenca, ku u bë prezantimi i projekteve të bizneseve nga Diaspora dhe atyre vendore, u diskutua rreth investimeve dhe pengesave të tjera të ndryshme, qëndron në kumtesën e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.