Demiri: PDSH-ja në zgjedhjet lokale do të varroset

Rikthimi i Menduh Thaçit në kreun e PDSH-së deri në zgjedhjet lokale dhe vendimi për të mos thirrur Kongresin e partisë, për një pjesë të analistëve është hap i gabuar. Analisti Alajdin Demiri vlerëson se ky vendim do çojë në groposjen e PDSH-së në zgjedhjet vendore.

Është tragjikomike, është një situatë DejaVu në PDSH. Nuk është hera e parë që paraqitet kjo situatë e tillë ku anëtarësia duhet ta lus kryetarin që të ngel në pozitë. Natyrisht kjo është një mënyrë e menaxhimit të politikës për arsye se deri tani sa herë i ka pasur ngushtë punët partia është paraqitur e njëjta skemë , prej vitit 1997 e deri më tash kjo skemë funksionon. Kjo është varrosja definitive e partisë dhe kjo do të ndodh në zgjedhjet lokale – u shpreh analisti Alajdin Demiri.

Sipas Demirit një ndër faktorët që ka ndikuar në rikthimin e Thaçit është mbijetesa financiare e partisë.

Askush nuk mund ta merr atë parti nëse e kemi parasysh aspektin financiar, se vetëm Menduhi mund ta mbajë, sepse ai e di se sa shpenzime dhe sa mjete i duhen për të mbajtur një parti politike, dhe këtë mund vetëm ai ta bën – shoti Demiri.
PDSH-ja në zgjedhjet e fundit të 11 dhjetorit shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj duke siguruar vetëm dy mandate deputetësh. Përgjegjësinë për këto rezultate e mori Menduh Thaçi i cili dy javë pas zgjedhjeve dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDSH-së, por në mbledhjen e fundit të Kuvendit Qendror të Partisë u vendos që Thaçi të mbetet në pozitën e njëjtë dhe të mos ketë kongres të jashtëzakonshëm deri në zgjedhjet vendore.