Dështon përpjekja e radhës për bashkimin opozitës shqiptare

Shoqata e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politik, thirri takim të partive jashtëparlamentare shqiptare. Thirrjes iu përgjigjen vetëm LR PDSH dhe PPD. Kreu i shoqatës Shpëtim Pollozhani shprehet optimist se bashkimi opozitarë së shpejti do të ndodh.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër, vetëm se të ulen dhe të kuvendojnë si vëllai me vëllanë. Në momentin që do të ulen, ne si shoqatë tërhiqemi duke mos pasur asnjë pretendim për të ndikuar në platformën dhe programin. Po u premtoj se së shpejti do t’i shihni të gjitha partitë shqiptare jashtë parlamentare të ulura në një tavolinë”, deklaroi Shpëtim Pollozhani, Kryetar i SHBPP-së.

Kryetari i LR PDSH-së, Zijadin Sela tha se bashkimi opozitar bëhet për të kërkuan bekimin e shqiptarëve me qëllim ndryshimin e sistemit 15 vjeçar. Sela shton se do t’i përgjigjet edhe ftesave të tjera.

“Edhe unë mendoj se do të bëhet bashkimi i partive opozitare jashtë parlamentare. Po të mos ishim optimist nuk do të ishim sot këtu për të bërë thjeshtë shou mediatik. Erdhëm realisht për të bërë bashkëpunimin opozitar dhe do t’i përgjigjemi edhe ftesave të tjera”, tha Zijadin Sela, Kryetar i LR-PDSH.

Në takim ishin ftuar edhe partia Uniteti, Lëvizja Besa dhe RDK, por të njëjtat nuk kanë sqaruar arsyet e mospjesëmarrjes. Ditë më parë, takim për bashkimin e opozitës jashtë parlamentare thirri edhe Lëvizja Besa, mirëpo ftesës nuk ju përgjigjën LR PDSH dhe partia Uniteti.

Adrian Kerimi