Detajet/ Flor Mumajesit i dogjën makinën 50 mijë euro pas ndarjes nga Elvana Gjata

Një muaj pas prishjes së lidhjes më të përfolur të showbiz- it, Flori Mumajesit dhe Elvana Gjatës, kantautori i njohur u bë objekt i kronikës, për shkak të djegies së makinës luksoze, në parkimin e pallatit në zonën e Tiranës së Re, ku ndodhet studioja e tij muzikore “Threedots”, raporton “Panorama Plus”.

Vetëm disa orë pasi doli nga emisioni “E diela shqiptare”, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së diel, producentit Mumajesi i dogjën makinën tip “Fuoristradë”, në parkimin e pallatit ku ndodhet studioja e tij muzikore.

Sipas burimeve policore, po hetohet në disa drejtime, në atë të konfliktit dhe përplasjes fizike para një viti me Ernest Duka Stine dhe përballjen publike me vëllezërit, Endri dhe Stefi Prifti. Por këto dy pista u përjashtuan me deklaratën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Endri Priftit, kështu që pista kryesore e hetimit mbetet në lidhje me tekstin e këngës “Nallane 2”, që u publikua në orën 16:00 të ditës, kur iu vu flaka makinës.

Nisur nga ky fakt, policia po heton nëse ka ndonjë lidhje mes tekstit të këngës dhe autorit të ngjarjes. Burimet theksuan se jashtë vëmendjes së grupit hetimor nuk është lënë as ndonjë konflikt për shkak të konkurrencës në biznes, pasi Mumajesi është pronar i një biznesi privat që nuk ka lidhje me muzikën, dhe është pikërisht “Proper Pizza”.

Vetë kantautori, i pyetur nga oficerët e Policisë për ndonjë dyshim rreth autorëve të ngjarjes, nuk ka mundur të japë asnjë emër konkret, duke u shprehur se nuk ka asnjë konflikt kaq serioz sa për t’i shkatërruar pronën e tij. Policia po verifikon kamerat e sigurisë, ku duket autori i zjarrvënies, por nuk mund të identifikohej plotësisht. Makina e kantautorit, që u përfshi nga flakët, është tip “Mercedes-Benz S Class” e vitit 2012, dhe vlera e saj shkon deri në 50 mijë euro.

SI MORI FUND MARRËDHËNIA E KOMPLIKUAR E FLORI MUMAJESIT ME ELVANA GJATËN

Bashkëpunimit disavjeçar në muzikë mes Elvana Gjatës dhe Flori Mumajesit i erdhi fundi fiks një muaj më parë. Lidhja më e fortë e showbiz-it, e shoqëruar me shumë hite muzikore, por edhe me thashetheme për histori dashurie mes tyre, duket se u ndërpre pas klipit “Lejla”, e kompozuar nga Mumajesi, por e realizuar si produksion në një studio muzikore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po cila ishte thashethemnaja e historisë së këngëtares me kompozitorin e saj, liderin e studios “Threedots”?

Hera e fundit që Elvana përmendi emrin e tij publikisht ishte në muajin prill, ku thashethemeve për histori dashurie dhe ortakëri të disa bizneseve, Elvana iu përgjigj: “Po e vërtetë, por jemi në marrëdhënie të komplikuar”, raporton “Panorama Plus”.

Artistët kishin investuar paratë për biznese të përbashkëta, një hap që pritej t’i paraprinte zyrtarizimit të lidhjes së tyre, por që realisht ndodhi e kundërta. Në darkën private të stilistit nga Kosova, Valdrin Sahiti, mungoi Flori, ndërkohë që Elvana ishte përfaqësuese e filialit të dyqanit të veshjeve “Altar” në Tiranë.

Gjatë darkës ku do të prezantohej koleksioni më i ri i tij, me titull “La Belle Epoque”, në një moment kulminant, Elvana jo vetëm që nuk ia përmendi emrin Flori Mumajesit, por e cilësoi një ish-bashkëpunëtor, që do të thotë se ata tashmë nuk janë më si dikur.

Kjo deklaratë e këngëtares u pasua direkt nga një shkrim i mediave online, ku komentuan se Elvana ka nisur një lidhje të re me një biznesmen të pasur, por që asnjëherë nuk është pranuar nga artistja.

BIZNESET QË FLORI DHE ELVANA KANË NGRITUR BASHKË

Përveç muzikës, si Elvana, ashtu dhe Flori, paralelisht investuan paratë e tyre në disa biznese, brenda dhe jashtë muzikës. Kështu, këngëtarja e njohur Elvana Gjata hapi një biznes privat, të cilin e ka regjistruar pranë QKR-së në emrin e saj.

Bëhet fjalë për një dyqan me fustane nusërie, “Altar”, pranë zonës së Liqenit të Thatë në zonën e Saukut. Nga ana tjetër, Flori gjithashtu ka të regjistruara në emrin e tij disa biznese si: një studio muzikore e hapur në vitin 2008 dhe “Mini Taxi Mapo”. Flori po ashtu është ortak me vëllain e tij, Evis Mumajesi, i “M.I.A.” sh.p.k.

Por dy artistët, në kohën që flitej se ishin çift, kishin mbajtur sekret biznesin e përbashkët që s’ka lidhje me muzikën, të regjistruar më datë 03.10.2014, picerinë “Proper Pizza” pranë qendrës “Olimpia” në Tiranë. Në këtë biznes të madh, Elvana Gjata ka 35 për qind të aksioneve, ndërsa Flori Mumajesi nëpërmjet kompanisë “M.I.A.” ka 51 për qind të aksioneve.

Pjesë e ortakërisë është dhe një mik i tyre, me 14 për qind të aksioneve. Biznesi i këngëtarëve në kryeqytetin shqiptar është i njohur në Europë e po ashtu në Kosovë, që ofron picën tradicionale. Nuk dihet nëse hetimet policore janë fokusuar në këtë ortakëri, pasi ky është i vetmi biznes i Flori Mumajesit që s’ka lidhje me muzikën.

FLORI I THOTË FEMRËS SË “NALLANE 2”: ME MU S’KA, SE UNË TA NEZ”

A e kishe menu ti, si do ishim bo? Larg nga njoni-tjetri unë ti, tu dëgju çfarë thonë… Jooooo, jo e thjesht nuk osht.. jooooo kur të hedhin poshtë Refreni: A e man men kur ishim bashkë çfarë loje kem lujt.. A e men men sa tkam dasht un ty çdo minutë A e man men ne të dy, në një pikë ndryshojmë Kujtoja vetes kur t’kesh kohë, dashnin kush ta mësoi VICKY DJ: Hej, o punë e vështirë me qenë rob i mirë Unë vonë e menova veten me dhom Hej, me mu s’ka s’ka s’ka, se un ta nez, rata ta ta ta Joooooo jo e thjeshtë nuk osht… joooo kur të hedhin poshtë..

FLORI MUMAJESI PROVOKON NË MUZIKË, DUET ME KËNGËTAREN E TALLAVASË SHKURTE GASHI

Në pritje të hetimit të autorit zjarrvënës, Flori ka vendosur të heshtë për këtë histori, duke iu rikthyer menjëherë muzikës. Ai do të lançojë një këngë të re me një nga këngëtaret më të njohura në Kosovë e diasporë, Shkurte Gashin. Lajmin e kanë bërë të ditur dy këngëtarët, duke e shoqëruar me foton që kanë realizuar bashkë. Ata nuk kanë dhënë më shumë detaje për produksionin, që pritet të jetë dhe hiti i tyre në këtë atmosferë festive të fundvitit.

 

“Së shpejti do të vijë projekti jonë i përbashkët, për të gjithë ata që pëlqejnë muzikën tonë”, ishte statusi i Shkurte Gashit, e njohur si këngëtare e muzikës tallava. Disa komentues në rrjetet sociale e kanë komentuar këtë si një provokim të ri të Florit, pas pjesëmarrjes në “Kënga Magjike” me një krijim të debutuar nga Artiola Toska dhe Bruno, që u cilësua si “tallava” nga disa konkurrentë. Madje, për këngën në fjalë, të titulluar “Mirëmëngjes dashni”, Flori pati një debat me vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, të cilët nuk e cilësuan të përshtatshme për një festival si “Kënga Magjike”. Ndërkohë, pas debatit në “E diela Shqiptare”, “muzikë tallava apo muzikë e mirë”, ai jep përgjigjen me Shkurten, këngëtaren e muzikës tallava, të cilën e mbulojnë me para në ahengje.