Dhuna në Kuvend, organizatorët ende në liri

Nisma “Për Maqedoni të përbashkët” mbeti pa njërin nga udhëheqësit e tyre. Prej sot, Bogdan Ilijevski, i njohur si “Betmen” dhe Aleksandar Damovski, nuk do ta kenë pranë tyre drejtorin e Operës dhe Baletit të Maqedonisë, Igor Durllovski. Gjashtë ditë pas dhunës në Kuvend, kur persona të maskuar rrahën deputet dhe gazetarë, ai u tërhoq. Vendimin e tij e publikoi në Facebook.

 Më vjen keq që në mënyrë indirekte isha pjesë e dhunës të cilën disa herë publikisht e kam dënuar. Qindra kërcënimet  nuk më frikësuan, por ajo që më theu mua janë një pjesë e bashkëqytetarëve të mi të cilët ashpër më sulmonin për shkak të dallimeve në qëndrimet tona për të ardhmen e Maqedonisë – tha Igor Durllobski, drejtor i OBM.

Ndërkohë Prokuroria edhe sot pa përgjigje konkrete nëse po veprojnë sipas kërkesës së policisë, që t’u shqiptohet masa e arrestit edhe katër organizatorëve të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”. MPB-ja përmes një shkrese të posaçme ka informuar Prokurorinë e Marko Zvërlevskit se ekzistojnë prova se pikërisht ata i dirigjojnë dhe udhëheqin me protestat, por edhe me atë se tashmë është vërtetuar kush i ka hapur dyert e Kuvendit që demonstruesit të papenguar të futen brenda. Alsat M tashmë publikoi se kamerat e sigurimit në kuvend tregojnë se deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kërste Mukoski dhe Sashe Vasileski i kanë hapur dyert e Kuvendit.

Deri në Prokurorinë Themelore Publike janë dorëzuar raporte me informacionet e mbledhura deri më tani rreth organizatorëve të protestës, si dhe për personat që kanë marrë pjesë në heqjen e barrikadës së vendosur paraprakisht në anën e brendshme të derës kryesore në objektin e Kuvendit – njoftuan nga MPB.

Deri më tani, policia ka arrestuar 11 persona që ushtruan dhunë  në Kuvend. Gjashtë prej tyre janë në paraburgim në burgun e Shutkës me kërkesë të Prokurorisë së Marko Zvërlevskit. Një inspektori të DSK-së i është paracaktuar arrest shtëpiak, kurse për dy persona tjerë janë shqiptuar masa kujdesi. Ndryshe, MPB-ja ka ngritur 20 kallëzime penale për dhunuesit e deputetëve. Në mënyrë shtesë do të hetohet kush janë njerëzit me maska në kokë, sepse për një pjesë të tyre supozohet se janë policë. Policia gjithashtu ka nisur hetimet edhe për vendosjen e eksplozivit që dje u gjet në Kuvend.

Bojan Stojanovski