Digjen palma, vidhen pllakat nëpër rrugët e Struges

Dëmtimi i pronës publike në qytetin e Strugës nga individë të pandërgjegjshëm apo grupe të caktuara ka marrë një dimension shqetësues për faktin se po përsëritet në shumë drejtime, shkruan gazeta KOHA. Kështu, përveç dëmtimit të trotuareve dhe vjedhjes së pllakave, vjedhjes së koshave të mbeturinave, dëmtimit të sinjalistikës rrugore, vjedhjes së luleve dhe dëmtimit të gjelbërimit, në vazhdimësi dëmtohen edhe palmat e mbjella, të cilave në shumë raste u është vënë zjarri. Siç informon drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Higjienës, Garip Kaba, së fundi një keqbërës është identifikuar si personi përgjegjës për djegien e qëllimshme të këtyre bimëve të mbjella para Këshillit komunal. Kaba saktëson se tashmë ndaj personit në fjalë do të veprojnë organet kompetente për ta proceduar rastin. Ai saktëson se nuk është ky rasti i parë që në mënyrë të qëllimshme dëmtohet prona publike apo djegia e palmave në Strugë. “Ky rast duhet të shërbejë si një mësim që të gjitha ata që dëmtojnë pronën publike apo palmat në mënyrë të qëllimshme duhet të marrin dëmtimin e merituar. Ne si kompani bëjmë të pamundurën që Struga të jetë një qytet i pastër dhe i rregullt në çdo drejtim dhe në këtë drejtim duam edhe mbështetjen e qytetarëve”, thotë Kaba për gazetën KOHA. Nga pushteti vendor, për këtë situatë në disa raste ka reaguar, duke thënë nuk është rasti i parë, që ndodhin akte të tilla vandale në dëm të pronës publike dhe të njëjtat i kemi denoncuar. Sipas vendorëve, vetëm disa nga këto raste janë zbuluar dhe pak nga personat përgjegjës kanë marrë ndëshkimin e merituar. Para dy vjetëve me ceremoni, në Strugë u mbollën palma ku asistoi edhe Zharko Karaxhoski, drejtori i Pyjeve të Maqedonisë, aksion ky, siç u tha atëherë, kishte mbështetjen edhe të Qeverisë. Kjo lloj bime u mboll në Ohër, Strugë dhe Dojran. Pjesa më e madhe e tyre, shikuar nga gjethet, janë tharë dhe nuk e mbijetuan dimrin, ndërsa disa prej tyre e kanë ruajtur vitalitetin dhe gjelbërimin. Shkaqet e tharjes së palmave, sipas mendimit të agronomëve dhe biologëve, mund të jenë të shumëllojshëm, e një nga ato shkaqe mund të konsiderohen edhe kushtet që kanë pasur këto palme në fidanishte prej nga janë sjellë. Nga “Komunalja”, pavarësisht që nuk duan të komentojnë indirekt, thonë se kjo lloj bime që është zgjedhur, është shumë më rezistent dhe me shumë gjasë do të mbijetojë në Strugë, sepse arriti të mbijetoj vitin e parë./KOHA