Diktatori korean urdhëron: Në vend të Krishtit, adhuroni gjyshen time

Nuk kanë të sosur çudirat që vinë nga Korea e Veriut.  Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-Un ka vendosur të ndalojë festimin e Krishtlindjeve për popullin e tij.

“New York Post” shkruan se Kim Jong-un ka urdhëruar koreano-veriorët që në vend të Jezu Krishtit të adhurojnë gjyshen e tij Kim Jong Suk, e cila ka lindur në prag të Krishtlindjeve në vitin 1919.

Ajo ishte gruaja e diktatorit të parë të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, dhe nëna e ish-udhëheqësit Kim Jong Il-it, ndërsa vdiq në rrethana misterioze në vitin 1949.

Shumë njerëz e quajnë “Nëna e shenjtë e Revolucionit” dhe kryejnë homazhe pranë varrit të saj.

Diktatori është aq i fiksuar për të ndalur festimin e Krishtlindjeve sa ndalon qytetarët të vendosin edhe Pemën e Krishtlindjeve.

Historia nisi në vitin 2014-të kur mori vesh se Koreja e Jugut planifikonte të ngrinte një pemë të madhe Krishtlindjesh përgjatë kufirit, çka nuk e bëri kurrë, pasi Kim Jong Un kërcënoi se do të niste luftën me ta.

Përkundër kësaj, pemët e Krishtlindjeve mund t’i gjesh në dyqanet apo restorantet luksoze të Phenianit, por të zhveshura nga zbukurimet me simbole fetare.

Pheniani, njihet si qyteti me më shumë të krishterë në Korenë e Veriut, por gjithçka ndryshoi në fillim të viteve ’50, kur autoritetet ndaluan fenë e krishterë në vend.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, rreth 70,000 të krishterë besohet të jenë burgosur në kampe përqendrimi vetëm për shkak të besimit të tyre.