Dita e Hixhabit: 5 shamimbajtëset e para në Shqipërinë e pas ’90-ës dhe rrëfimet e tyre

Nga Bardha Nergjoni
Ka kaluar afro çerek shekulli që kur ato vendosën që në pamjen e tyre të futej një risi, gati e harruar nga dekadat e komunizmit ateist: shamia në kokë. Ishin vitet e para të rikthimit të ushtrimit të besimit, ringjalljes islame në Shqipëri, ku 5 vajza do futeshin në histori si të parat që do vendosnin të quajturin hixhab me gjuhë fetare, duke iu bindur pa hezitim një obligimi hyjnor. Në rrafshin social nuk ka qenë shumë e lehtë, por ato guxuan; për t’u pasuar gjatë viteve nga dhjetra e qindra të tjera që sot janë pjesë krejt e natyrshme jetës publike në Shqipëri. Në kuadër të Ditës Botërore të Hixhabit,  në një rrëfim ekskluziv për tesheshi.com, ato shpalosin eksperiencën e tyre në pikëtakimin me shaminë, 25 vjet më parë dhe ndjesitë në vitet që pasuan….   

Myzejen Myftari: Mbulesa, forcë karakteri! 

A e kishit menduar ndonjëherë veten si “femër të mbuluar”, para se të hidhnit këtë hap vendimtar për jetën tuaj?

Jo, nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend që do të mbulohesha dhe as që kam qenë e vetëdijshme që duhej të mbulohesha.

Para se ta njihnit Islamin, kishit parë besimtare të mbuluara? Çfarë impakti kishin te ju?

Po, kam parë femra të mbuluara, por mbulesa e tyre ka qenë shumë larg konceptit të mbulesës islame apo mendimit për mbulesë. Në kujtesën time prej fëmije kanë mbetur fotografitë e gjyshes (nënës së babait që ka vdekur menjëherë pas lindjes sime) e cila kishte mbajtur një lloj shalli mëndafshi të bardhë në kokë, që halla ime e quante herë “sharp” e herë “namazbrez”. Pas vdekjes së gjyshit, në vend të namazbrezit të bardhë ajo kishte mbajtur një të zi.

Po kështu kam parë nëndajën (nënën e mamit) që mbante shami të bardhë në kokë apo merhaman (marhamon), siç e gjuajnë gratë tiranase në moshë të thyer. Gjyshja dukej shumë fisnike me atë napën e bardhë e cila thua se sapo kishte dalë nga fabrika. Gjithashtu kam parë “perccen” (siç e quante nëndaja) të cilin ajo e mbante në fund të sepetit (arkës së rrobave). Ajo ishte një lloj pelerine prej atllazi të zi, e gjatë deri poshtë pulpave të këmbës dhe kishte edhe një pjesë tjetër, gjithashtu të zezë, me të cilën mbuloheshin flokët, por jo fytyra. Gjyshja kishte mbajtur mbulesë islame deri pas Luftës së Dytë Botërore dhe që nga koha kur kjo lloj veshje ishte ndaluar me ligj e ruante si kujtim në sepet. Nuk e kam dëgjuar kurrë gjyshen të përmendte vitin e ndalimit dhe kuptohet se si fëmijë as që e kam pyetur për këtë.

Veç këtyre, ka qenë diçka normale të shikonim në rrugët e Tiranës, para viteve 90-të, gra fshatare me merhaman të bardhë në kokë. Shumica e grave të fshatrave mbanin shami, ndërkohë që gratë e reja e hiqnin atë kur vinin për vizitë apo për të ndonjë punë në Tiranë. Megjithatë, duhet theksuar se kjo nuk veshje islame por një traditë.

E njëjta mund të thuhet për pjesën dërmuesë të grave të fshatrave anë e mbanë Shqipërisë. Mbase ndryshonin ngjyrat apo mënyra e veshjes, por shumica e kishin shaminë si pjesë të veshjes.

Si i perceptoja unë ato?

Veshja e gjysheve më dukej normale, sepse si fëmijë unë nuk e lidhja veshjen e tyre me Islamin por me moshën. Mendoja se gjyshet mbajnë shami.

Po kështu edhe për gratë e fshatit më dukej normale mbajtja e shamisë sepse e lidhja me traditën e fshatit. Ato që vinin nga zonat periferike të Tiranës p.sh. dukeshin shumë të fisme dhe fytyra iu shkëlqente nga bardhësia e merhamanit. Megjithatë, të them të drejtën nuk më pëlqente veshja e tyre, më dukej shumë pa shije, demode. Kjo jo për shkak të shamisë por për shkak të veshjes në tërësi. Ato përgjithësisht vishnin xhaketë, pantallona dhe fund sipër pantallonave-kryesisht të zeza-, një përparëse pëlhure sipër fundit dhe merhamanin (napën) e bardhë. Unë nuk i paragjykoja, por mbase i shihja me një ndjenjë keqardhje që ato, për shkak të traditës, mbanin atë veshje, shumë të ndryshme nga veshja e përditëshme e kohës.

Ishte i vështirë vendimi për t’u mbuluar? Si i kujtoni sot pas kaq viteve ato çaste?

Shaminë fillimisht e kam vënë në Tiranë që në fillimet e 1991, kur për herë të parë frekuentova kurset e mësimeve islame në xhaminë e Ethem Beut. Nga dëshira e madhe që kisha për të mësuar Islamin e mbaja shaminë edhe rrugës kur shkoja dhe kthehesha nga xhamia. Por kuptohet që pas kësaj e hiqja.

Më 10 mars 1992, ne pesë vajza të reja nga Tirana, Myzejen Myftari, Brixhida Muça, Elona Muça, Iris Maçi dhe Ermira Muça, udhëtuam për studime në Kairo. Nuk ishim të veshura me shami gjatë udhëtimit. Çasti i parë-i cili do të ishte përfundimtari- i vënies së shamisë dhe vendimi për mbajtjen e saj janë dy vendime të ndryshme që nuk kanë ardhur njëkohësisht.

Shaminë e kemi vënë në grup të pesta, të premten më 13 mars 1992, në kohën e namazit të xhumasë, datë e cila përkonte me ditën e tetë të Ramazanit të vitit 1412, sipas kalendarit hënor. Është një çast që nuk do ta harroj kurrë në jetë. Ndjenja dhe emocione të papërsëritëshme. Kisha shumë pyetje dhe enigma në vetvete. Gjithçka për mua ishte e re, e panjohur, ashtu si dhe vetë bota e Islamit ishte e panjohur. Askush nuk më urdhëroi ta vija shaminë, por ishte diçka që e kisha të qartë brenda vetes. Kisha ardhur të studioja Islamin dhe pjesë e këtyre studimeve ishte edhe mbajtja e shamisë. Nuk dija si ta vija shaminë, më dridheshin duart dhe kisha frikë se çpohesha nga gjilpërat që e mbajnë atë. Shaminë ma kanë lidhur dy zonja shqiptare, Faime Ismaili nga Presheva dhe Gjyltene Ismaili nga Kosova. Sa herë i shoh fotografitë e asaj dite, përveç nostalgjisë më kap edhe një gaz i brendshëm kur shoh mënyrën si e kemi lidhur.

Shaminë e vura me mendimin se do ta mbaja përkohësisht, vetëm në periudhën e studimeve në Kairo. Vendimi për mbajtjen e saj erdhi shumë natyrshëm. Duket ishte një bindje që lindi pak nga pak dhe u çimentua me kohën, pa e kuptuar as vetë, së bashku me dijet islame. Sa më shumë mësoja aq më shumë kuptoja të fshehtat e një botë të re të panjohur më parë, derisa erdhi një moment kur pa e kuptuar as vetë thashë:-Nuk e heq kurrë! Dhe ishte ky një vendim i brendshëm, i pa paramenduar, por që u bë motivi i jetës sime.

Gjithsesi, unë vërtet nuk e hoqa më kurrë shaminë që nga ai 13 mars i 1992.

Që nga çasti që vendosët të kurorëzonit besimin tuaj me vendosjen e shamisë, cila ka qenë ngjarja më e vështirë e nga ana tjetër më e bukur që keni përjetuar?

Nuk kam patur ndonjë çast apo përballje dramatike që të këtë lënë gjurmë negative apo të ketë ngjallur probleme në qenien time. Sigurisht nuk mund të them se nuk paragjykohem në vazhdimësi për shkak të veshjes, por këto lloj paragjykimesh nuk ndikojnë aspak tek unë. I shoh si fenomene të shkaktuara nga individë apo grupe të cilët nuk kanë fare ose kanë njohuri tepër të cekëta rreth Islamit, apo janë të ndikuar nga media dhe rrjetet e ndryshme sociale. Do të thosha se aktualisht vështirësitë më të mëdha, për mua që udhëtoj vazhdimisht, janë nëpër aeroporte, pasi detyrohem t’u nënshtrohem kontrolleve të imta që shpesh të ngjallin një ndjenjë bezdie. Por unë i kaloj me humor këto momente dhe i harroj menjëherë.

Megjithatë mund të veçoj këtu sjelljen e njërit nga ish-ambasadorët shqiptarë në Londër i cili më shkruante në një e-mail se unë nuk mund të merrja pjesë në një aktivitet të rradhës të ambasadës shqiptare në Londër, pasi Shqipëria është shtet laik dhe nuk mund të përfaqësohet nga simbole fetare dhe veshje me shami. Këtu nuk bëhej fjalë që unë të përfaqësoja diku Shqipërinë, por të isha një tjetër pjesëmarrëse në aktivitet, si pjesë e komunitetit shqiptar, ashtu siç kisha qenë për vite e vite me rradhë. Aty kuptova se edhe pas 25 vitesh demokraci, mentaliteti i një pjese të shqiptarëve akoma nuk ka ndryshuar dhe ndjeva keqardhje për vendin tim që në një vend multietnik dhe multikulturor si Britania, përfaqësohej nga individë me horizont të ngushtë, jo tolerantë dhe paragjykues, të cilët nuk kanë arritur të çlirohen nga ndikimi i ideologjisë së kaluar me të cilën janë rritur dhe edukuar.

Ndërsa nga rastet e shumta të bukura që të ngjallin emocione mund të veçoj rastin kur më është dhënë mundësia të flas, në institucionet e Gjykatës së Hagës, për masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, gjatë një trajnimi diplomatik, organizuar nga Akademia Diplomatike e Londrës. Fjala, jo vetëm që u vlerësua maksimalisht nga të pranishmit, një pjesë e të cilëve për herë të parë po dëgjonin shifra dhe fakte mbi atë çfarë kishte ndodhur realisht në Kosovë, por ngjalli edhe një polemikë pozitive në mbështetje të çështjes shqiptare. Aty jam ndier shumë krenare, si myslimane dhe si shqiptare, sepse ajo që ngriti zërin në mbrojtje të popullit tim për një çështje që u vlerësua si e drejtë nga përfaqësuesit e diplomacisë ndërkombëtare isha unë, myslimania shqiptare me shami.

Çfarë ju irriton më tepër, paragjykimi që jeni mbuluar kundrejt pagesës, se ju ka urdhëruar babai ose bashkëshorti, apo se jeni të prapambetura?

Asnjëra nga këto.

Ata që thonë se jeni mbuluar kundrejt pagesës e kanë shumë të qartë se kjo nuk është e vërtetë. Po të ishte e vërtetë kjo atëherë sot, pas 25 vitesh, mbase do të isha bërë milionere. Për para mund të bësh një veprim për një kohë apo në një vend të caktuar por jo për gjithë jetën. Veç kësaj, askush nuk i kundërvihet një pjese të madhe të shoqërisë për para, apo të përballet me probleme të politikave të ndryshme në botë, ku shkelen edhe të drejtat më elementare të njeriut. Po kështu, për para nuk përballesh me probleme të ndryshme sociale si vështirësitë në fushën e arsimimit apo të punësimit, madje as nuk do të të nevojitej punësimi sepse do t’i mbuloje nevojat e tua me pagesën e supozuar. Këto bëhen nga bindja dhe besimi i plotë në atë çfarë urdhëron Zoti në Kur’an për femrën myslimane, të cilën unë e konsideroj një normë dhe çështje të etikës islame dhe jo për para apo asnjë arsye tjetër, sido që tia venë emrin.

Edhe paragjykimi se më ka urdhëruar babai nuk më irriton aspak sepse shoqëria e ka të qartë që kjo nuk ka baza. Prindërit e mi kanë respektuar vendimin tim për mbulesë dhe paçka dëshirës apo mosdëshirës së tyre, më kanë mbështetur me të gjitha mundësitë, kudo dhe kurdo dhe unë i jam falenderuese gjithë jetën për tolerancën dhe mirëkuptimin e tyre. Unë jam mbuluar në një kohë kur Islami po rilindte në Shqipëri, kështu që prindërit e mi nuk kishin krijuar akoma bindjen islame sa të më urdhëronin të mbulohesha. Përkundrazi, duke u mbuluar, unë dhe shoqet e mia, motrat e mia në rrugën e vështirë por të bukur të besimit, kemi thyer një tabu gati 50-vjeçare dhe i jemi kundërvënë të gjithë shoqërisë dhe ideologjisë së kohës. Dhe kjo nuk ka qenë aspak e lehtë.

Sa për atë që më ka urdhëruar burri, unë jam martuar shumë vite pas mbulesës, prandaj nuk më irriton aspak nëse dikush mendon kështu. Faktet janë më kokëforta se paragjykimet e pabaza.

Përsa i përket opinionit të kategorive të caktuara të njerëzve se jam e prapambetur prandaj mbaj veshje Islame, as kjo nuk më irriton por më ngjall keqardhje ndaj atyre që mendojnë kështu. Për mua, veshja nuk tregon prapambetje por kulturë. Nuk e kuptoj si e konceptojnë njerëzit prapambetjen dhe çfarë kanë parasysh me të, por mund t’ju them me siguri se pjesa më e madhe e praktikantëve myslimanë shqiptarë, veçanërisht brezi i mesëm dhe i ri, janë njerëz të arsimuar në fusha të ndryshme të shkencës, shumica në vende të ndryshme të botës, janë multilinguistë dhe nisur nga vetja besoj se e duan vendin më shumë se disa që rrahin gjoksin për Shqipërinë apo një pjesë e atyre që e përfaqësojnë atë brenda apo jashtë vendit.

Personalisht kam vënë një balancë në jetë ndërmjet njohurive islame dhe atyre shkencore, prandaj asnjë paragjykim i shoqërisë në këtë drejtim nuk më bën të ndihem keq. Unë kam mbuluar flokët por jo trurin dhe vazhdoj të jem ajo që kam qenë pa shami. Asgjë nuk ka ndryshuar tek unë në qënien vetvetja. Armët e mia janë besimi dhe dija. Jetoj si të gjithë njerëzit dhe përballem me të njëjtat sprova që sjell jeta për të gjithë. Mund të them se jam shumë e hapur, i respektoj njerëzit dhe i pranoj ashtu siç janë, paçka besimit apo shtresës shoqërore e kulturore dhe pres po të njëjtën gjë prej tyre. Ata që veprojnë ndryshe apo shprehin paragjykime kanë probleme me vetveten dhe tregojnë nivelin kulturor apo paaftësinë e adaptimit në një botë diverse dhe multikulturore.

Çfarë të ka dhënë mbulesa një element të veçantë në jetën tënde, por që një pjesë e njerëzve nuk e kuptojnë dot?

Pyetje e vështirë për t’u përmbledhur me pak fjalë. Askush nuk e kupton botën e një femre besimtare të mbuluar derisa të mbulohet vetë apo të jetojë pranë saj.

Së pari veshja jote bëhet simboli yt. Në një farë mënyre është pasaporta me të cilën të identifikojnë që nga pamja se je besimtare myslimane. Një femër e mbuluar e ndien veten ambasadore të përherëshme të Islamit. Kjo e vë atë para përgjegjësive të madhe dhe është gjithmonë në kërkim të përmirësimit të vetes, për ta përfaqësuar denjësisht Islamin, për të rritur vlerat individuale dhe për të ndikuar pozitivisht në familje dhe shoqëri. Ajo është krenare kudo dhe kurdo, paçka mendimit apo paragjykimeve të shoqërisë apo të kategorive të individëve të ndryshëm.

Veç kësaj, mbulesa të jep një farë sigurie dhe qetësie në vetvete dhe do të thoja se deri diku është mbrojtje nga shumë fenomene negative me të cilat përballen femrat në shoqërinë e sotme. Pjesa tjetër e shoqërisë, edhe pse mbase nuk e pranon mbulesën, prapë ndjejnë një farë rezerve në sjellje apo komunikim me femrat e mbuluara. Kjo nuk vjen për shkak të respektit që ata kanë ndaj fesë por për shkak se femrat besimtare respektojnë personalitetin dhe besimin e tyre dhe me sjelljen e tyre ia imponojnë këtë pjesës tjetër të shoqërisë.

Për më tepër, mbulesa tregon forcën e karakterit të asaj që e mban atë. Nuk është aspak e lehtë për një femër të mbuluar të përballet me sfidat e jetës së përditëshme, të shoqërisë, të motit, problemet ekonomike apo të fenomeneve të tjera. Megjithatë, ajo prapë nuk tërhiqet nga rruga e saj, i përballon me forcë dhe guxim vështirësitë dhe vazhdon përpara, e gatëshme të sakrifikohet për besimin e saj. Dhe të gjitha këto nuk i bën për asnjë arsye tjetër përveç bindjes së thellë në besim. Me besimin tek Krijuesi i gjithësisë, ajo sfidon kohën dhe njerëzit.

Gjithashtu mbulesa është shenjë e urtësisë dhe gjykimit të shëndoshë, nxitje për të përmirësuar zemrën nëpërmjet devotshmërisë, pendimit dhe bamirësisë. Ajo të bën që të jesh më e kujdesshme ndaj ndjenjave dhe kërkesave të atyre në nevojë dhe të matesh në çdo veprim për të mos lënduar askënd. Kjo nuk do të thotë se të bën perfekt, sepse perfekt nuk është asnjë njeri, por të motivon të jesh gjithmonë në kërkim të më të mirës nga vetja.

Së fundi mund të them se nuk është aspak e lehtë ta përfaqësosh denjësisht Islamin, të mbulohesh dhe ta mbash denjësisht mbulesën, as edhe të përballesh me paragjykimet dhe opinionet negative të shoqërisë. Kjo është një përgjegjësi e madhe, për atë që beson sinqerisht. Për të arritur këtë duhet një forcë e madhe e brendëshme e cila lind vetëm nga forca e besimit tek Zoti i Lartësuar, gjë të cilën pakkush e kupton.

Iris Maçi: Mbulesa, Paqja ime!

A e kishit menduar ndonjëherë veten si “femër të mbuluar”, para se të hidhnit këtë hap vendimtar për jetën tuaj?

Koha kur unё kam filluar tё praktikoj fenё ka qёnё para viteve ’90, e duke qёnё se nuk ekzistonte  si koncept nё atё kohё, pёr rrjedhojё nuk mё kishte shkuar ndёr mend tё mbulohesha e jo mё tё kisha njё model pёr t’a ndjekur.

Ishte i vështirë vendimi për t’u mbuluar? Si i kujtoni sot pas kaq viteve ato çaste?

Vendosja e mbulesёs erdhi nё mёnyrё spontane dhe e pallogaritur, nё atё kohё mendoja se do e vija vetёm pёr periudhёn e studimit, meqenёse isha nё njё vend mysliman dhe ndiheshe mё komode tё ishe e mbuluar sesa e pambuluar; por me kalimin e kohёs u bё pjesё e pandashme e imja dhe nuk e kuptoj dot mё veten pa tё.

Që nga çasti që vendosët të kurorëzonit besimin tuaj me vendosjen e shamisë, cila ka qenë ngjarja më e vështirë e nga ana tjetër më e bukur që keni përjetuar?

Pjesa mё e vёshtirё ka qenё nё kohёn kur do kthehesha  pas afro dy vjetёsh nё Shqipёri dhe familja ime nuk ishte nё dijeni tё vёnies tё mbulesёs, pasi ata mendonin se ishte diҫka e pёrkohshme, isha nё stres e nё siklet deri nё momentin e takimit me ta; por kur u takuam, ata nё fillim vetёm mё shikonin tё habitur por shumё shpejt duke parё ankthin tim mё thanё, kjo ёshtё jeta jote e nёse kjo ёshtё mё e mira pёr ty atёherё edhe ne jemi dakort, ky ishte dhe ҫasti mё i bukur dhe mё lehtёsues qё mё ka ndodhur. Dakortёsia e tyre mё dha forcё pёr tё vazhduar studimet edhe mё tej.

Çfarë ju irriton më tepër, paragjykimi që jeni mbuluar kundrejt pagesës, se ju ka urdhëruar babai ose bashkëshorti, apo se jeni të prapambetura?

Nuk mё irriton asnjёra nga kёto, u buzёqesh kur dёgjoj gjёra tё tilla dhe i kthej njё pёrgjigje tё thjeshtё: falenderoj Zotin qё  jemi nё demokraci dhe jemi tё lirё tё zgjedhim; si tё vishemi, si tё mendojmё, si tё ushqehemi, kё tё besojmё apo edhe ҫfarё tё themi e si tё shprehemi…

Çfarë të ka dhënë mbulesa një element të veçantë në jetën tënde, por që një pjesë e njerëzve nuk e kuptojnë dot?

Rehati shpirtёrore, paqe me veten dhe me ata qё mё rrethojnё.


Brixhilda Muça-Masha: Jo vetëm emocion i bukur!  

A e kishit menduar ndonjëherë veten si “femër të mbuluar”, para se të hidhnit këtë hap vendimtar për jetën tuaj?

Asnjëherë nuk e kisha menduar e as imagjinuar, kjo duke u nisur dhe nga rrethanat politike të asaj kohe. Pavarësisht se familja ime ishte myslimane dhe me tradita fetare Islame, askush nga familjarët nuk guxonte të më tregonte për fenë. Ata zgjodhën një mënyrë fine dhe tepër të kujdesshme të më kultivonin besimin në një Zot. Sigurisht që në subkoshiencën time kisha shumë pyetje, shumë “pse”, që nuk kishin marrë përgjigje. Duke qenë se prindërit kishin statusin “kulak” si nga mami ashtu dhe nga babi s’guxonin të më tregonin më shumë, sepse ishin gjithë kohës të survejuar nga regjimi komunist. Dhe pse të dyja gjyshet kishin një veshje me shami ndryshe nga koha e atëhershme, unë e konsideroja traditë dhe s’mendoja më shumë për të. Për më tepër që prirja ime ishte stilimi, moda, ndaj si mund të imagjinoja veten të mbuluar me shami?!

Para se ta njihnit Islamin, kishit parë besimtare të mbuluara? Çfarë impakti kishin te ju?

Jo, nuk kisha parë sepse bëhet fjalë për vitet ‘90. Të vetmet femra të mbuluara që kisha parë ishin gjyshet dhe moshataret e tyre, por kjo mbulesë shihej si pjesë e zakoneve dhe traditave dhe nuk i paragjykoja. Që herët kam menduar se duhen respektuar zgjedhjet e tjetrit. Ëndërroja të kisha një jetë të lirë të padiktuar nga opinioni, që në atë kohë kishte ndikim të jashtëzakonshëm. Ishte e vështirë sepse s’të linin të jetoje siç doje. Kisha një revoltë të brendshme ndaj asaj jete false.

Ishte i vështirë vendimi për t’u mbuluar? Si i kujtoni sot pas kaq viteve ato çaste?

Me lejo pak të tregoj për atë kohë, ku nëpër xhamia kishte të moshuar e fëmijë. Unë bashkë me dy kushërirat morëm pjesë në një aktivitet fetar dhe aty një djalë i ri bën një njoftim se tek xhamia e Pazarit të Ri “Kokonozit”, një vajzë e re jepte mësim dhe mund të shkonte kushdo që kishte dëshirë. Për çudi unë bashkë me Lonën e Mirën, u pamë në sy njëherësh dhe vendosëm të shkojmë. Ishte pikërisht ky moment, në xhaminë e Pazarit të Ri, ku u takova me mësuesen time të parë në fe, Iris Maçin, asokohe studente në vitin e dytë në matematikë. Prezenca ime në xhami më dha një ndjesi që kurrë s’do ta harroj, ndjeva një qetësi e çlirim shpirtëror. Nuk e di a do i gjej ndonjëherë fjalët e duhura për ta treguar atë emocion të atyre çasteve magjike, ku shpirti u hap deri në skutat më të thella për Krijuesin. Në xhami u përballa me rregullin e mbajtjes së shamisë gjatë namazit dhe qëndrimit aty. M’u duk normale dhe interesante, por asnjëherë nuk pata idenë e hixhabit. Kjo ishte hera e parë që vendosa shaminë brenda në xhami.

Në periudhën që pasoi u zhvendosa në Kajro për studime, vend ky nga i cili kam shumë kujtime. Më vjen ndërmend 13 marsi i vitit 1992, një ditë e premte ku para se të dilja e vendosa shaminë ashtu siç duhej. Dolëm të blinim rroba të përshtatshme për veshjen islame, tashmë jo vetëm unë por pesë vajza nga Tirana. Nuk ishte vetëm emocion i bukur, i paharruar por dhe një përgjegjësi para Zotit në ditët e vitet në vijim. Gjithmonë kam ndjerë përgjegjësinë e përfaqësimit sa më dinjitoz të fesë sime, se për një vajzë të mbuluar shamia është CV-ja e besimit të saj.

Që nga çasti që vendosët të kurorëzonit besimin tuaj me vendosjen e shamisë, cila ka qenë ngjarja më e vështirë e nga ana tjetër më e bukur që keni përjetuar?

Në të vërtetë ka shumë çaste të bukura por dhe të vështira. Një nga çastet më të vështira ishte ardhja në Tiranë pas dy viteve studimi në Kajro. Nëpër rrugë ecja gjithmonë e shoqëruar për shkak të ofendimeve dhe kërcënimeve që bënin njerëzit, por njëkohësisht kuptoja veten se sa e vendosur isha për zgjedhjen time.

Një moment i bukur ishte dhe nisja e studimeve universitare në Jordani për jurisprudencë Islame, për herë të parë për pesë vajza nga Shqipëria, pra tashmë kishte nisur rrugëtimi i thellimit në dije. Tjetër moment ishte kur familjarët e mi pranuan zgjedhjen time duke më respektuar dhe për këtë u jam shumë mirënjohëse.

Çfarë ju irriton më tepër, paragjykimi që jeni mbuluar kundrejt pagesës, se ju ka urdhëruar babai ose bashkëshorti, apo se jeni të prapambetura?

Në fakt më irriton kur thuhet apo mendohet që mbulesa vendoset për para ose shprehja, “Sa ju paguajnë?”. Ky është një ofendim, përçmim që i bëhet një njeriu e në këtë rast femrës. Fenë nuk mund të na e shesin dhe ne nuk mund ta blejmë, ajo (feja)vetëm mësohet me bindje individuale dhe praktikohet pa cenuar askënd. Dhe shprehja që ne jemi të prapambetura me irriton, sepse ky mendim vjen nga padituria për fenë dhe në shumë raste është tendencioz. Ndodh shpesh që pasi na njohin ndryshojnë mendim. Po e ilustroj me një nga përvojat që kam.

Më duhej të shkoja në Bibliotekën Kombëtare për të studiuar për provimet. Kur kam hyrë për herë të parë në sallën e katit të dytë, habia dhe shikimet “thumbuese” ishin tepër injoruese, porkisha shumë forca që më kishin dhënë studimet. Isha shumë e fortë përpara çdo situate. Kaluan gati tre ditë dhe intelektualët në sallë erdhën tek tavolina ku studioja dhe më pyesnin rreth asaj që po studioja. Sigurisht përgjigjet e mia ishin shumë dashamirëse. Kështu filloi të rritej interesimi dhe të merrnin përgjigje pyetjet nëse e lejon feja frekuentimin në shkollë dhe studimet jashtë vendit? Shikoja në sytë e tyre habi kur merrnin përgjigje që s’i kishin menduar më parë, e kështu duke bashkëbiseduar me etikë u miqësuam duke shkëmbyer dije. Dhe pse ishin intelektualë paragjykuan se nuk kishin njohuri për këtë fe hyjnore. Të jesh i paditur për disa fusha dhe i ditur për disa është njerëzore, por mënyra se si i qasemi njëri-tjetrit ka dhe do të ketë vend për përmirësim.

Çfarë të ka dhënë mbulesa një element të veçantë në jetën tënde, por që një pjesë e njerëzve nuk e kuptojnë dot?

Më ka dhënë besimin në vetvete duke më mësuar se si të përballem me sfidat që sjell jeta, gjithashtu të jetoj jetën time, atë që unë dua dhe jo atë që të tjerët duan… e kështu ndjehem e lirë pa shkelur limite.

Ndihem:

si një vajzë – princeshë

si një motër – e nderuar

si një bashkëshorte – mbretëreshë

si një nënë – mesazh edukimi

si një femër – themel i shoqërisë

Mira Muça: Pas vështirësisë erdhi lehtësimi!

A e kishit menduar ndonjëherë veten si “femërtë mbuluar”, para se të hidhnit këtë hap vendimtar për jetën tuaj?

Unë jam njohur me fenë Islame në vitet e para të ’90, kur sapo ra regjimi i egër komunist. Isha 17 vjeçe dhe në momentet që u hap xhamia e qendrës Ethem Beu dhe xhamia e Pazarit kam qenë prezent aty bashkë me shoqet e mia të shkollës, si katolike dhe myslimane.Më vonë unë me motrën dhe kushërirën filluam të frekuentonim xhaminë. Fillimisht falnim aty namazin e ikindisë. Ndërkohë që bashkëmoshataret tona dilnin për argëtim, unë nisja rrugëtimin tim drejt xhamisë. Në këtë periudhë njohëm dhe një vajzë që u bë mësuesja jonë e parë e fesë Islame. Brenda në xhami e mbanim shaminë gjatë ritit të faljes, por në ëndrrat e mia kisha dëshirë të bëhesha këngëtare ose të studioja për ndonjë profesion tjetër. Nuk e mendoja që një ditë do të mbulohesha, edhe pse syri na ishte mësuar duke i parë gjyshet tona gjithnjë me shamia në kokë.

Para se ta njihnit Islamin, kishit parë besimtare të mbuluara? Çfarë impakti kishin te ju?

Jo, nuk kisha parë vajza të mbuluara me shami. Për herë të parë kam parë kur udhëtova për studime në Egjipt bashkë me 4 vajzat e tjera: Elona që është motra ime, Iris Maçi, Myzejen Myftari, Brixhida Muça. Si vajzat e para që frekuentonim xhaminë, një fondacion nga Arabia na dha mundësi studimi për në Egjipt, për të studiuar gjuhën arabe. Atje qe dhe kontakti i parë me vajza me shami. Në Kajro u takuam me një grua nga Kosova që jetonte në Egjipt, e cila ishte tepër fisnike dhe fytyra i ndriçonte nga mirësia. Çdo ditë shikonim vajza, gra të mbuluara me shami dhe më pëlqenin shumë, por pa menduar se mund të arrija që ta mbaja vetë.Si femra që jemi i japim shumë përparësi bukurisë, paraqitjes së jashtme. Këdo që shikonim atje rrezatonte mirësi, të mbaje shami dhe të ngjaje shumë bukur ishte diçka që s’e kisha parë dhe menduar ndonjëherë.

Ishte i vështirë vendimi për t’u mbuluar? Si i kujtoni sot pas kaq viteve ato çaste?

Ishte muaji i parë i Ramazanit që agjëroja dhe e kam përjetuar shumë. Falënderoj Zotin që m’u dha rasti që të agjëroja në një vend, ku besimi Islam dhe ritet fetare i shihje kudo. Respekti, dashuria për persona si ne, që ishim të huaj dhe që vinim nga një vend komunist, ishin të pranishme kudo dhe kjo më bëri të ndjehesha shumë mirë. Muaji i Ramazanit në vitin ‘92 ka qenë një mbushje e shpirtit me besim, ku çdo ditë merrnim gjëra të reja rreth fesë dhe atë që merrnim e shikonim që ishte pjesë e jetës e nuk mund të rrije pa të. Pas një muaji agjërim vendosëm që të mbuloheshim për Bajram. Ishte një hap i jashtëzakonshëm i marrë nga të pesta njëherësh. Vendim i marrë me zemër dhe shpirt! Vendosëm që lajmin fillimisht t’ia jepnim motrës nga Kosova dhe familjes së saj, familja e Beqir Ismailit. Aty gjetëm një mbështetje të jashtëzakonshme, madje na shoqëruan që të blinim veshjet e para. Në fakt gjetëm kudo mbështetje për vendimin që kishim marrë, madje dhe komshinjtë e rrugicës ku jetonim na uruan e përgëzuan për këtë hap të rëndësishëm në jetën tonë.

Që nga çasti që vendosët të kurorëzonit besimin tuaj me vendosjen e shamisë, cila ka qenë ngjarja më e vështirë e nga ana tjetër më e bukur që keni përjetuar?

Si vajzat e para me shami, unë dhe motrat e mia kemi pasur momente shumë të vështira.Unë kam qenë vajza më e vogël e grupit si nga trupi dhe nga mosha dhe i përjetoja me shumë emocion, nganjëherë ishin emocione të dukshme nganjëherë të fshehta, por le të kujtoj momentin e parë kur kemi ardhur në Shqipëri pas dy vjetësh studimi në Egjipt.

Ishte emocioni i parë se si do na prisnin prindërit, kur të na shikonin me shami dhe njerëzit e afërt, të cilët kishin bllokuar rrugët jashtë aeroportit të viteve ’90.  Ishte një moment shumë i vështirë! Momenti më tronditës që pata para se të takoja prindërit ishte kur po mbanim radhën tek sporteli i pasaportave. Një shtetas shqiptar me uniformën e policisë po thoshte se këto 5 goca me shami nuk janë shqiptare e nuk kanë pse të rrinë në radhë. Na udhëzoi të kalonim nga sporteli i të huajve dhe kur ne filluam të buzëqeshnim plot dashuri e respekt, duke i treguar që jemi nga Tirana, ai filloi të ulërinte me fjalë e shprehje, që edhe sot nuk më harrohen.

U fut tek unë ndjenja e frikës dhe e dhunës, që kisha dy vjet që i kisha harruar e isha mbushur me mirësi e dashuri. Momente të vështira ishin dhe kur të afërmit na thoshin se nuk ishim për të jetuar këtu.

Madje ndonjëherë jepnin ndonjë këshillë si: “Është më mirë të formoni familjen andej, që t’i përshtateni veshjes ose hiqeni atë”!

Kishte raste që flisnim rrugës arabisht mes njëra-tjetrës, që mos të na hiqnin shaminë kur ecnim nëpër rrugët e Tiranës. Moment i vështirë ishte dhe kur mbaruam studimet tona në Jordani dhe erdhëm me vizione e me projekte për të hapur zyrën e parë të gruas pranë KMSH-ës, për të thyer atë mentalitet të gabuar ndaj gruas dhe rolit të saj në shoqëri. Ka shumë vështirësi, por siç thuhet dhe në Kuran, “Pas vështirësisë vjen lehtësimi” dhe gëzimi dhe lumturia jonë më e madhe ishte kur triumfonte e vërteta dhe e drejta.

Çaste të bukura ka shumë, mund të përmend koncertin e parë fetar që kemi realizuar me nxënësit e liceut për Fitër Bajram dhe për Kurban Bajram, mund të përmend emisionet e para fetare tek TV Shijaku, mund të përmend hapjen e Medresesë së Vajzave në Durrës dhe në Tiranë, pra ku ka pasur vështirësi ka pasur dhe çaste të lumtura.

Çfarë ju irriton më tepër, paragjykimi që jeni mbuluar kundrejt pagesës, se ju ka urdhëruar babai ose bashkëshorti, apo se jeni të prapambetura?

Po e nis këtë përgjigje nga fundi.Nëse më thonë që kështu jeni të prapambetura, do u thosha se një individ që lexon e studion, arsimohet e punon dhe jep maksimumin për familjen dhe shoqërinëështë e aftë të përballojë çdo situatë të jetësdhe nuk ka lidhje me prapambetjen.

Nuk ka sens të mbulohesh me urdhër të babait, aq më tepër që prindërit e mi nuk kanë qenë besimtarë, por i udhëzoi Zoti pasi unë kisha mbaruar studimet dhe isha kthyer pranë familjes sime. Falënderoj Zotin që prindërit e mi më lanë të bëja zgjedhjen time, më pranuan dhe nuk më përzunë nga familja, por ndenjën hap pas hapi duke u kujdesur dhe duke më mbrojtur për atë vendim që kisha marrë, kur ato vetë nuk e praktikonin fenë dhe as nuk e njihnin atë.

Normalisht që bashkëshorti im më mori si një vajzë me shami, ashtu siç ai kishte ëndërruar të merrte shoqen e jetës.Ajo që më irriton është kur përmendet dhe paragjykojnë se shaminë e mbajmë për shkak se paguhemi, kjo është shumë ofenduese, prekëse dhe provokuese.

Çdo femër e mbuluar do ndjehej e lënduar nëse do vihej në pikëpyetje liria dhe dinjiteti i saj, duke e vënë në peshoren e parasë. Ky është një sulm i parimeve dhe vlerave të besimit Islam, këto mesazhe negative na serviren nga çdo anë si e si për të ulur poshtë e për të përdhosur femrën e mbuluar. Ne në të vërtetë presim një shpërblim, por ai shpërblim nuk është me para apo euro, apo dollarë, është shpërblimi që na jep dhe na e ka premtuar I Madhi Zot, por fatkeqësisht ato që shprehen kështu duan ta shikojnë femrën gjithmonë poshtë vetes dhe të përçmuar, të pavlerë.Askush nuk mund të vendosë në ankand bindjet, liritë dhe zgjedhjet e miliona femrave që janë të mbuluara me shami si unë.

Çfarë të ka dhënë mbulesa një element të veçantë në jetën tënde, por që një pjesë e njerëzve nuk e kuptojnë dot?

Unë do thosha mbase kanë frikë prej saj, sepse nuk arrijnë ta kuptojnë dhe kjo gjë vjen ngaqë nuk kanë lexuar rreth vlerave që ka mbulesa. Mbase po të hulumtojnë më thellë do të kuptojnë se çdo krijesë e Zotit ka një pëlhurë që e mbron atë.

Dua të përmend një mesazh  që dërgon një vajzë myslimane, e cila thotë: “Një ditë po vështroja me kujdes këtë univers në të cilin jetojmë dhe pashë se midis gjërave që ishin në të kishte diçka të përbashkët. Pashë foshnjën në barkun e nënës të mbështjellë me një petk që e mbron. Pashë perlën në fund të detit, të ruajtur brenda një guaske. Pashë zemrën e njeriut, të rrethuar nga kafazi i gjoksit i cili e mbron atë. Madje dhe Toka në të cilën jetojmë është e mbrojtur nga një shtresë (atmosfera). Nëse gjërat më madhështore janë të mbuluara si mbrojtje për to, atëherë përse ne duhet të veçohemi prej tyre! Jam krenare me mbulesën time, sepse ajo është kurora ime dhe kurora e çdokujt që e mban atë…”

Elona Muça: Mbulesa, si guaska e perlës për femrën!

A e kishit menduar ndonjëherë veten si “femër të mbuluar”, para se të hidhnit këtë hap vendimtar për jetën tuaj?

Në vitet ‘80-‘90 që kanë qenë vitet tona të rritjes dhe përballjes me jetën shoqërore nuk mendohej fakti i mbulesës myslimane. Kur isha vajzë e vogël mbaj mend që i merrja sharpën e zezë gjyshes sime dhe e vendosja në kokë, kur luanim shtëpiash.

Para se ta njihnit Islamin, kishit parë besimtare të mbuluara? Çfarë impakti kishin te ju?

Mund të deklaroj se përveçse dy gjysheve të mia që kanë mbajtur shami, ku njëra prej tyre vendoste sharpën e zezë dibrane, ndërsa gjyshja nga ana e mamit vendoste shaminë e bardhë si plakat tiranase, nuk kam parë femra të tjera të mbuluara. Kur isha e vogël mendoja se ato i vendosnin shamitë kur arrinin moshën 60-vjeçare, por kur u rrita gjyshet tona tregonin se para regjimit komunist ato kishin ecur të mbuluara me perçe të zeza dhe shkonin në xhami. Ato thoshin se kur erdhi në pushtet Enver Hoxha ua ndaloi gravembulesën, por ne e dinim që femra nuk duhej të zbulohej, kështu që u munduam ta justifikonim veshjen tonë duke iu përshtatur traditës.

Ishte i vështirë vendimi për t’u mbuluar? Si i kujtoni sot pas kaq viteve ato çaste?

Vendosja e shamisë erdhi si rezultat i njohjes së fesë islame pranë xhamisë së Kokonozit në Tiranë. Atje u njohëm me motrën tonë, studenten Iris Maçi e cila na mësoi se si të merrnim abdest dhe se si të faleshim. Tek ajo gjetëm mbështetjen dhe kurajën për të vazhduar këtë rrugë të ndritshme. Ishim një grup studentësh dhe studentesh që frekuentonim namazin e ikindisë në xhaminë e Kokonozit çdo ditë.

Në fillim të muajit shkurt vjen një delegacion nga Arabia Saudite në Shqipëri. Ne patëm fatin që Zoti na dha mundësinë për t’u takuar me ta. Ky takim përçoi tek ne shtimin e besimit, por edhe hapi një derë të ndritur drejt vendit të dijes Ez-herit në Egjipt. E dua Egjiptin dhe njerëzit që më rrethuan dhe më mbështetën në këtë vend. Aty vendosa shaminë, aty kuptova rëndësinë dhe vlerat që ka një femër kur ndjek rregullat e fesë Islame. S’ka dyshim se dita që u mbulova u shoqërua me emocione të bukura dhe me plot urime nga profesorët tanë dhe nga ata që na mbështetën për të ecur në këtë rrugë të bukur për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Që nga çasti që vendosët të kurorëzonit besimin tuaj me vendosjen e shamisë, cila ka qenë ngjarja më e vështirë e nga ana tjetër më e bukur që keni përjetuar?

Në realitet jemi përballur me situata të ndryshme të vështira. Po përmend përballjen e parë në aeroportin e Tiranës kur u kthyem nga Egjipti në Shqipëri në vitin 1994, me punonjësit e kontrollit të pasaportave. Nuk i harroj fjalët e tij kur tha: “Kthehu nga ke ardhur oj vajzë. Ku po shkon me këtë veshje”?!

Me një buzëqeshje të sinqertë u përgjigja: “Jam myslimane, vajzë nga Tirana, jam krenare që po kthehem në vendin tim”. Situata më e bukur është përqafimi i prindërve të mi në aeroportin e Tiranës pas dy vitesh largimi nga Shqipëria dhe mbështetja e tyre për vendimin tim.

Çfarë ju irriton më tepër, paragjykimi që jeni mbuluar kundrejt pagesës, se ju ka urdhëruar babai ose bashkëshorti, apo se jeni të prapambetura?

Nuk mund të them irritim, por mund të them që ndiej keqardhje për paragjykimet, që mund të bëjnë njerëzit, pasi ajo varet nga niveli i tyre i ulët kulturor. Sa më shumë të lexojë njeriu për njohuritë Islame aq më shumë do kuptojë që mbulesa jonë është dinjitet dhe krenari për ne. S’ka dyshim se ne presim shpërblimin tek Zoti për çdo punë, për çdo vepër që ne kryejmë.

Çfarë të ka dhënë mbulesa një element të veçantë në jetën tënde, por që një pjesë e njerëzve nuk e kuptojnë dot?

Njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë dot faktin që shamia nuk është mbyllje e individit në shoqëri. Përkundrazi, zbatimi i çdo urdhri të Zotit bën që individi të jetë më i rregullti, më i shëndetshmi në të gjithë ndërveprimin njerëzor. Mbulesa është si guaska e perlës për femrën. /tesheshi.com/