DITA E SHËN GJERGJIT: Pagane, Kombëtare apo fetare?

Ata të cilët kanë shkelur në decenien e pestë të jetës, me siguri mbajnë mend se si ditën e Shën Gjergjit, pra me 6 maj, ( në disa treva dhe kryesisht nëpër vende urbana, atje ku ende flitej turqishtja, kjo ditë quhej dita e HIDIRELLEZIT-Hëdërlezit), qysh me lindjen e diellit, nënat tona na zgjonin herët në mëngjez, na lanin në obor, pranë gjelbërimit, me ujë jo shumë të ngrohtë, apo edhe me ujë të ftohtë, ku më parë në enën ku lahej fëmija, (kadë, koritë, tekne), hudheshin lule të llojeve të ndryshme.

Mëpastaj në qafë varnim qafore nga kungulli i egër që renditej në një pe të bardhë aponë në një pe të kuq. Pastaj shkohej pranë lumit apo procke dhe mereshin degë të njoma të shelnjeve dhe stoliseshin dyert e oborit apo të shtëpisë. Gjatë ditës, dilej në natyrë ku vendoseshin mbi degë të larta luhaçe, (shilurë apo salënxhak).

Shëngjergjin shqiptarët e festonin gjithandej, pa dallim përkatësie fetare! Kjo ditë festohej edhe nga të tjerë: maqedonas, serb, bullgar, rom, turq etj. Në ndjekje të zanafillës së kësaj feste, gjithësesi me gjenezë pagane, hasim në spjegime të shumta.

Sipas disa spjegimeve, madje edhe të besimit musliman, tradita e Shën Gjergjit, daton nga koha e Dhulkarnit,(çiftebrrinji, apo brricjapi), pejgamberit islam, të cilin e njeh edhe vet Kurani famëlartë.

Në etimologjinë e turqishtes së vjetër emri i Dhulkarnit (as,) përkthehet si ISKENDER! Këtë emër siç dijmë nga historia e lavdishme e shqiptarëve e ka mbajtur edhe Gjergj Kastriot – Skenderbeu.

Pra përkundra tendencave për ta injoruar këtë festë të Shën Gjergjit apo të, siç e quajnë turqit, HIDIRELLEZIT, (Hëdërllezit), së paku shqiptarët duhet ta vazhdojnë këtë traditë qoftë nga aspekti fetar e aq më tepër edhe nga ai kombëtar.

 

Më këtë rast të gjithëve që e festojnë dhe i respektojnë këto rite kombëtare apo fetare GËZUAR DITA E SHËN GJERGJIT.