Dodik paralajmëron fundin e Bosnjës pas referendumit, Republikën Serbe e quan shtet

Pas numrit të 30,76 të vendvotimeve, në referendumin e organizuar në Republikën Serbe të Bosnjës, “për” kanë votuar 99.80 për qind e qytetarëve.

Në referendum kanë marrë pjesë ndërmjet 56 dhe 60 për qind të votuesve të regjistruar.

Në anën tjetër, presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, i entuziazmuar nga rezultati e ka quajtur shtet RS-së.

“Vetëm liria serbëve u ka qenë e garantuar atëherë kur kishin shtet. Prandaj, Republika Serbe si shtet është e rëndësishme. Republika Serbe me marrëveshjen e Dejtonit dhe Bosnja dhe Hercegovina e kanë të definuar territorin e tyre, qeverisjen efektive dhe popullin i cili dëshironte Republikë. Këto janë kritere për shtet”, ka thënë Dodik, transmeton lajmi.net.

Pas këtij fjalimi të mbajtur në Pale, janë ndezur fishekzjarrët për të festuar rezultatin e referendumit.

Zyrtarët boshnjakë ishin kundër referendumit, sepse konsiderojnë se është anti-Dajton dhe një akt kundërkushtetues.

Në referendum e sotëm është shtruar pyetja nëse dëshirohet që 9 janari të mbetet “Ditë e Shtetësisë”.

Në këtë datë është festa e Kishës Ortodokse Serbe dhe përvjetori i Deklaratës së ligjvënësve serbë të Bosnjës në vitin 1992, me të cilën ishte shpallur pavarësia nga Bosnja. Ky zhvillim e kishte shkaktuar luftën trevjeçare etnike në këtë vend. /Lajmi.net/