Donald Trump paguan 25 milionë dollarë për tre padi

Donald Trump ka paguar 25 milionë dollarë, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, për t’i dhënë zgjidhje tre padive për mashtrim që rëndonin mbi universitetet që mbajnë emrin e presidentit të sapozgjedhur.
Ai u hodh në gjyq nga ish-studentë të Trump University, të cilët kishin paguar 35.000
dollarë për të mësuar “sekrete” të pronave të patundshme të Trump nga instruktorë “të përzgjedhur nga vetë ai”.
Biznesmeni kishte përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të paguante për këto padi, por sipas Prokurorit Eric Schneiderman, “kthesa surprizuese” e bërë nga Trump ishte një fitore e madhe për të dyja palët.
Edhe avokati i presidentit, Daniel Petrocelli tha se klienti i tij kishte mbetur i kënaqur me rezultatin dhe kishte shprehur vullnetin e mirë për të sakrifikuar interesat e tij personalë dhe për ta lënë pas këtë ngjarje.
Biznesmeni përballej me tre padi në Kaliforni dhe Nju Jork, ku pretendohej se shkolla kishte mashtruar studentët dhe nuk ia kishte dalë të përmbushte premtimet e saj. Edhe pse avokatët e Trump ishin përpjekur të vononin çështjen, gjyqi ishte parashikuar të zhvillohej në San Diego në 28 nëntor.
Kjo nuk është hera e parë që Trump University përballet me të tilla akuza. Në vitin 2010, një prej këtyre universiteteve u mbyll, pasi vetë z. Schneiderman i kishte kërkuar Trump të paguante 40 milionë dollarë, duke i quajtur universitetet e tij si organizata mashtruese të cilat i jepnin shpresa të rreme njerëzve të dëshpëruar.
Kjo marrëveshje e arritur mund të rezultojë e kushtueshme për presidentin e zgjedhur, por do ta kursejë atë nga një gjykim me shumë gjasa të turpshëm.
Donald Trump kishte premtuar të vijonte luftën për këtë rast dhe avokatët e tij kishin deklaruar se nuk ekzistonte as dyshimi më i vogël që biznesmeni do të fitonte gjyqet, por ata shtuan se një rezolutë i lejon Trump t’ia kushtojë vëmendjen e tij të plotë çështjeve të rëndësishme me të cilat përballet kombi.
Megjithatë, kjo marrëveshje mund t’i kthehet mbrapsht Trump, mbi të cilin rëndojnë disa dhjetëra padi.