Dr. VALON ASANI, FRYMË E RE NE SPITALIN E TETOVËS, SHPËTUES JETËSH.

Ardhja e tij në Spitalin klinik të Tetovës reduktoi shumë harxhime dhe kohë të qytetarëve, që dikur humbnin për vajtje ardhje, pritje dhe intervenime në klinikat e Shkupit. Edhe pse me prejardhje është nga një fshat i vogël i Tetovës, f. Poroj, puna që ai bën është tejet e fisnike. Ai shpëton jetë njerëzish dhe që kjo punë e tij të jetë ende më fisnike, thonë kolegët e tij, doktor Valoni këtë punë e bën 24 orë në ditë dhe me shumë Vullnet dhe energji pozitive.

Të gjithë ata që së paku një kontroll të zemrës e kanë bërë në Spitalin klinik të Tetovës, apo në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup, (e të mos flasim për ata që kanë pasur probleme kardio-vaskulare), e që e njohin atë si një engjëll shpëtimtar. Kjo, jo për gjë tjetër, por për punën e tij që e kryen me aq vullnet dhe në kohë, gjë kjo që është tejet me rëndësi për pacientët të cilët ndodhen buzë vdekjes, sidomos kur kanë sulme në zemër, apo ndonjë sëmundje kardio-vaskulare.

 

dr1 dr3 drValon Asani, ka lindur në fshatin Poroj të Tetovës, ku edhe kreu shkollimin fillor që më pas të vazhdojë në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë. Duke mos i mjaftuar kjo vjelje e njohurive, Valoni vazhdon mjekësinë në një ndër universitetet më me nam në vendin tonë, Universitetin “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, ku kreu me sukses studimet e mjekësisë së përgjithshme. Asani më tej, në të njëjtin universitet ka vazhduar edhe specializimin për mjekësinë interne, ndërsa më vonë, edhe sub-specializimin për kardiologji, që vazhdon ta kryej vitin e fundit, nën mentorimin e kardiologut të njohur të vendit tonë, Sashko Kedev.
Kardiologu Valon Asani, punën e tij, ka filluar që prej dy vitesh ta kryej me shumë sukses në Spitalin Klinik të Tetovës, ku në ditë, nda dora e tij shpëtohen nga tre deri në dhjetë jetë njerëzish, me intervenimet që bën ai në zemër tek pacientët, ndërkohë që të njëjtin profesion, e kryen edhe në Spitalin Nënë Tereza në Shkup, në repartin e Kardiologjisë.

Përveç punës praktike që bën në vendin tonë me profesorin Kedev, Asani në Maqedoni sjell edhe një përvojë tjetër, atë të Zvicrës, ku për një vit radhazi, ai u trajnua për intervenimet në Zemër në Spitalin Triemli në Cyrih dhe Cardio Centro në Ticino, nën mbikëqyrjen dhe mentorimin e Kardiologut shqiptar në Zvicër, doktor Omer Xhemaili, i cili kohë pas kohe, frekuenton edhe spitalet e Maqedonisë, për suport të kolegëve të tij këtu.

Përveç pacientëve të cilët kanë vetëm fjalë miradije për Valonin, impresionuese është edhe kënd-shikimi që kanë kolegët ndaj tij, siç janë Alper Asani, Millan Gjeorgjievski, Sevim Muaremi, Toni Bllazhevski etj. Ata për doktor Valon Asanin, thonë se është ndër njerëzit e rrallë që me aq vullnet dhe dëshirë punon punën e tij me pacientët por edhe në trajnimin e kuadrit të ri.
Ata nën buzëqeshje tregojnë edhe sloganin e tij që përdor gjatë punës dhe gjatë angazhimit të kolegëve në intervenimet në zemër, e që është,´Duhet krijuar më shumë Valona, sepse nesër mund të më ndodh edhe mua e njëjta gjë, dhe duhet të kem kush të më trajtojë”.
Së fundmi, siç mund edhe të shihet nga fotot, Doktor Valon Asani, është një kardiolog që jetën ia besojnë edhe shumë njerëz me ndikim në vendin tonë, siç janë, politikanë, intelektual dhe biznesmenë të ndryshëm, sidomos, në kohën e sodit, kur vdekshmëria në botë nga sëmundjet e zemrës, zë afër 13 për qindshin e vdekjeve totale.
Nga Modestia që ka në vete, Asani e ka problem të flet për veten e tij, por nga hulumtimet që kemi kryer, mësuam se, punën me zell dhe vullnet të madh, e ka trashëgimi nga i ati i tij, specialisti i Otorinolaringologjisë, Nexhat Asani, i cili përveç trajtimit të pacientëve, punon edhe profesor në Universitetin e Tetovës, në fakultetin e mjekësisë, ku njëjtë sikurse i biri i tij, edhe Ai përgatit kuadrot që për tregun e shqiptarëve të Maqedonisë, janë më se të nevojshëm.