Drejtë përfundimit të punimeve në filter stacionin e ujit ne Komunne e Tetoves

Filter Stacioni paraqet fazën e dytë dhe përfundimtare të ndërtimit të sistemit të ri të ujësjellësit në Komunën e Tetovës me të cilin do të shtohet kapaciteti i furnizimit me ujë të pijshëm edhe për 220 L/sek. Të rikujtoj se bëhet fjalë për investim prej 1.4 mil euro, mjete të siguruara nga EBRD nëpërmejt Ministrisë për Transport dhe Lidhje dhe kofinansim nga buxheti vetanak i Komunës së Tetovës. Meqë bëhet fjalë për grumbullim të ujërave sipërfaqësor ky filter stacion modern do të bëjë në mënyrë të automatizuar trajtimin apo filtrimin mekanik dhe kimik të ujit, i cili pas nënshtrimit të procesit të filtrimit do të jetë plotësisht i sigurtë për përdorim dhe pije. Komuna e Tetovës këto ditë finalizon edhe kyçjen me rrymë të filterstacionit dhe fill pas kësaj do të fillojë faza e testimit të tij nga ekspertë të kompanisë e cila ka furnizuar filtrat e ujit. Me aprovimin e tyre mbi rregullshmërinë teknike të filtrave do të behet edhe lëshimi në përdorim i filterstacionit së bashku me rrjetin e tubacionit, me çka do të marrë fund saga 20 vjeçare e mungesës së ujit të pijshëm për qytetarët e Tetovës. Në këto ditë të mungesës së ujit për pije në komunën e Tetovës, që është si pasojë e thatësirave dhe temperaturave ekstreme që kan kapluar Maqedoninë por edhe rajonin më gjërë, apeloj deri te qytetarët që të solidarizohen dhe të përdorin ujin për pije në mënyrë racionale, me qëllim që edhe lagjet e pjesëve të epërme të qytetit të kenë ujë për nevojat e tyre!