DROGAT MË TË PËRDORURA NË EVROPË

 

Qendra Monitoruese Evropiane për Drogën dhe Varësinë ndaj Drogës publikoi të martën në Bruksel “Raporti mbi Drogën Evropiane 2017”, duke vlerësuar se ka një rritje të përdorimit të drogës.

Sasitë e sekuestruara

Raporti mbi Drogën Europiane 2017 vlerëson se janë raportuar mbi një milion sekuestrime të drogave të paligjshme çdo vit në Evropë. Shumica e këtyre rasteve janë sasi të vogla të kapura përdoruesve, megjithatë, sipas raportit sasia më e madhe e drogave të kapura u përket trafikantëve dhe prodhuesve. Marijuana është droga më e kapur, me mbi 70% të sekuestrimeve në Evropë, kokaina renditet e dyta (9%), e ndjekur nga amfetamina (5%), heroina (5%) dhe MDMA (2%). Sipas raportit, në vitin 2015, ishin 732. 000 konfiskime të produkteve të kanabisit, raportuar në Bashkimin Evropian duke përfshirë 404.000 raste të marijuanës e 288 000 të hashishit. Vlerësohet se 135 ton marijuanë u konfiskua në Evropë në 2015, një rënie prej 38% krahasuar me 217 ton kapur në vitin 2014. Raporti vlerëson se rënie të dukshme u raportuan në Belgjikë, Greqi dhe Itali. Raporti vlerëson se një numër faktorësh mund të jenë pas kësaj rënie të përgjithshme në Europe. “Këto mund të përfshijnë iniciativa për të trajtuar shkallën gjeografike të prodhimit në vende jashtë Bashkimit Evropian, të tilla si Shqipëria”,vlerëson raporti.

Droga në Europë një shqetësim gjithnjë e në rritje

“Në kontekstin global thuhet në raport, Evropa është një treg i rëndësishëm për furnizimin e drogës si për ato të prodhuara në vendet e BE-së dhe për drogat e trafikuara nga rajone të tjera të botës. Raporti vlerëson se Amerika e Jugut, Azia Perëndimore dhe Afrika e Veriut janë burime të rëndësishme për drogat e paligjshme që hyjnë në Evropë, ndërsa Kina është një vend burim për Substanca të reja psikoaktive. Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, tha se ‘ndikimi i problemit të drogës vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme për shoqëritë evropiane. Mbi 93 milionë evropianë kanë provuar një substancë të paligjshëm në jetën e tyre dhe mbidoza e vdekjeve vazhdon të rritet për të tretin vit me rradhë. Unë jam veçanërisht i shqetësuar, deklaroi Komisionieri i BE-së që sidomos të rinjtë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të drogës”. Raporti mbi Drogën në europë 2017 vlerëson se rreth 25 substanca sintetike shumë të fuqishme janë zbuluar në Evropë midis viteve 2009 dhe 2016, prej të cilave vetëm masa të vogla janë të nevojshme për të prodhuar mijëra doza, duke paraqitur një kërcënim në rritje për shëndetin. Raporti Vjetor i Drogës Europiane jep analizat e nevojshme, udhëzimet dhe mjetet për të trajtuar këto kërcënime, jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por edhe për të ndaluar fitimet e mëdha nga droga.

Vdekjet e mbidozave të drogës në Europë

Raporti nxjerr në pah shqetësimin për numrin në rritje për të tretin vit radhazi të vdekjeve të mbidozave të drogës në Evropë. Një numër prej 8 441 vdekjesh nga mbidozat e drogës , kryesisht të lidhura me heroinë dhe të tjera substanca, vlerësohet të kenë ndodhur në Evropë në vitin 2015 ( 28 vendet anëtare të BE, Turqi dhe Norvegji ).Kjo sipas raportit shënon një rritje prej 6% nga rreth 7 950 vdekje që u shënaun në 30 vende në vitin 2014. Rritjet janë raportuar pothuajse për të gjitha grupmoshat dhe rreth 1.3 milionë përdorues të opiumit në Evropë shihet se janë ndër më të shumtët të pambrojtur./VOA