DW parasheh që Kosova do t’i ngre statujë edhe Trumpit

Qytetarët e Kosovës nuk e dinë se çfarë raporti do të kenë SHBA-të ndaj Kosovës pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump. Por, nuk përjashtohet mundësia që edhe këtij të fundit t’i ngrihet një statujë, siç ka ndodhur me Bill Clintonin.

Kështu raporton DW, edicioni në gjuhën angleze, duke theksuar se më shumë se 80% për qind e kosovarëve pranojnë udhëheqësinë amerikane, që është edhe niveli më i lartë i përkrahjes në botë. Këto të dhënë janë publikuar në një sondazh të fundit nga Gallup.
DW shkruan se gjatë viteve të 1990-ta, ishte intervenimi amerikan që e ndihmoi Kosovën të pavarësohej nga Serbia. Por thotë se kosovarët nuk janë të sigurt nëse do të mund të mbështeten në përkrahjen dhe mbrojtjen e SHBA-ve me ardhjen e Trumpit në krye.

Gazetarja e DW, Mitra Nazar, e cila raporton nga Prishtina, raportimin e saj e nis me këngën “Thank you USA” të kënduar nga Armend Miftari.

Nazar thotë se nëse dilni në një shëtitje në qendër të Prishtinës do të shihni shumë falënderime ndaj Washingtonit. Më e dukshmja është statuja e Bill Clintonit dhe bulevardi i tij i cili kryqëzohet me bulevardin e rivalit të tij të madh politik, George Bush.

“Clinton na ka ndihmuar që të jemi të lirë gjatë luftës. Statuja është më e pakta që mund të bëjmë, dhe nuk është se kemi ndonjë mundësi tjetër për ta falënderuar”, thotë një bashkëbiseduese e gazetares së DW nëpër rrugët e Prishtinës, e cila thotë se në Kosovë festohet edhe 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së Amerikës.

Ajo thotë se në Kosovë janë të shqetësuar se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të jetë më i ftohtë në raportet e SHBA-ve me Kosovën.

Gazetarja e radios ndërkombëtare gjermane ka takuar edhe vëllezërit Krasniqi, Kushtrimin (30) dhe Fitimin (26), të cilët janë programorë dhe interesantë për këtë temë pasi që para zgjedhjeve në SHBA ata kishin hapur ueb-faqen ksiftrumpwins.com (Kosova nëse fiton Trumpi) përmes së cilit i ftojnë amerikanët e dëshpëruar të zhvendosen në Kosovë.

“Kam qenë i fiksuar me zgjedhjet amerikan dhe kështu pash njerëzit në rrjete sociale që po shfrytëzonin termin Trump për të promovuar çkado. Dhe kështu mendova – përse të mos e shfrytëzojmë dhe promovojmë vendin tonë? Shumë kanë thënë se nëse fiton Trumpi, do të zhvendosen në Kanada. Përse të mos vijnë tek ne? Kjo ka qenë ideja e sajtit”, ka thënë Fitimi për DW.

“Dëshirojmë që njerëzit ta njohin vendin në të cilin jetojmë ne. Nuk është më e mira në botë, por ia vlen të vizitohet”, thotë vëllai i tij më i madh, Kushtrimi.

Ata nuk janë edhe aq të shqetësuar me fitoren e Trumpit. Ata madje dëshirojnë që presidenti i zgjedhur ta vizitojë Kosovën.

“Nëse na bëhet aleat, sigurisht se do t’i ngremë edhe atij statujë sepse dëshirojmë të kemi partneritet afatgjatë me Amerikën. Përse të mos i ngremë edhe Trumpit një statujë”?, pyet Fitimi dhe qesh, i entuziazmuar me idenë e tij.