Dy fëmijë kanë ndërruar jetë për shkak të gripit

Sipas raportit të Institutit për Shëndet Publik në javën e fundit, janë regjistruar dy raste me pasojë vdekjeje, që kanë ardhur si pasojë e virusit të gripit.

Bëhet fjalë për dy fëmijë të moshës 3 dhe 4 vjeçare, njëri nga Kërçova dhe tjetri nga Gostivari. Ata kanë qenë të shtruar në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve – Shkup, në Departamentin e Kujdesit Intensiv.

Më tej, në raport e ministrisë së Shëndetësisë bëhet me dije se është duke rënë numri i të sëmurëve nga gripi, por megjithatë ende është në nivel shumë të lartë. Gjatë javës së parë të vitit 2017, janë paraqitur 8.067 të sëmurë nga gripi.

Në sezonin 2016/17, numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi deri më tani është 23.843.

Edhe në këtë javë ashtu sikur edhe të kaluarën, pjesa më e madhe e të sëmurëve janë regjistruar në rajonin e Shkupit.