Dy viktima nga sulmi me thikë në Marseille

Një sulm me thikë ka rezultuar fatal për dy persona të ndodhur në stacionin e trenave “St Charles” në Marseielle.

Sipas asaj që raportojnë mediet franceze, agresori është qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë të qytetit jugor të Francës. Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb tha se ishte duke udhëtuar menjëherë drejt vendngjarjes. Ndërkohë, policia franceze shkroi përmes rrjetit social “Twitter” se situata në stacionin në fjalë është kthyer në normalitet, pasi agresori ishte neutralizuar. Gjatë kësaj kohe, shërbimi hekurudhor ishte ndërprerë, ndërsa policia u kërkoi fillimisht njerëzve të shmangnin zonën. Një burim i paidentifikuar i ka thënë gazetës “Le Monde” se agresori kishte thirrur “Allahu Akbar”.