A e dini pse çmimi i iPhone 8 do të jetë i lartë?

Deri te shënimi i dhjetëvjetorit të iPhone kanë mbetur vetëm edhe pak javë dhe kompania nga Kupertino pritet të lansojë modelin e saj të ri, i cili pritet të ketë një çmim të lartë.

iPhone 8 sipas paralajmërimeve pritet të ketë mbushje pa tela, ekran AMOLED dhe kamerë të dyfishtë vertikale.

Krahas këtij modeli pritet të lansohen edhe dy modelet tjera iPhone 7S dhe 7S Plus.

Ardhja e modelit iPhone 8 ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Apple, por sipas Mac4Ever data e prezantimit do të jetë më 12 shtator, transmeton KosovaPress.

Por, ka edhe raportime se iPhone 8 do të dalë në shitje në sasi të kufizuara, derisa Business Insider shkruan se pajisja do të jetë në treg vitin e ardhshëm, për shkak të “sfidave teknologjike”.

Sa i përket çmimit, po ashtu ka raportime të ndryshme, të cilat sugjerojnë se ai do të sillet mbi 1 mijë dollarë.

Raporti më i ri i Forbes pohon se çmimi fillestar do të jetë 1.100-1.200 dollarë dhe se iPhone 8 do të ketë vetëm dy konfigurime 128 dhe 256 GB, si dhe 3 GB RAM.

Çmimi i lartë i iPhone 8 sipas ekspertëve arsyetohet me atë se kjo është pajisje luksi dhe kush e dëshiron një telefon të tillë, ai duhet të paguajë një çmim ekstra të lartë.