E. League, Inter e Man. Uniten në kërkim të 3 pikëve të para

Europa League rikthehet këtë të Enjte në ekranin e Supersport me ndeshjet e dyta të fazës së grupeve. Nisi me gola dhe emocione të mëdha ky kompeticion dy javë më parë por në ndeshjet e para nuk u munguan as surprizat. Interi ishte një nga skuadrat e mëdha që nuk e nisi mirë këtë edicion të Europa League. Pas humbjes 0-2 ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Shevas në San Siro zikaltërit e Frank De Boer duhet të reagojnë menjëherë nëse dëshirojnë të shkojnë larg në këtë kompeticion. Sot Interi sfidon në grupin K, Spartën e Pragës me objektivin për të marrë tre pikët e para në grupin K.

Edhe cekët e nisën keq aventurën e tyre europiane pasi në ndeshjen e parë humbën me rezultatin 3-0 ndaj Southampton, për më tepër që sëfundmi është larguar edhe trajneri Scazny. Sparta në takimin ndaj Interit do të vuajë edhe mungesën e lojtarit të saj më të rëndëishëm, pasi mesfushori veteran Thomas Rosicky vazhdon të jetë i dëmtuar. Në krahun tjetër Frank De Boer pritet të lërë pushim disa nga titullarët për tu dhënë mundësi aktivizimi emrave të tillë si Ranocchia, Felipe Melo, Eder e Palacio.

Po në orën 19 në Artemio Franchi, Fiorentina do të përballet me Qarabagun. Ansi Agolli si zakonisht pritet ta nisë ndeshjen që nga fillimi. Të dyja skuadrat e kanë nisur me nga një barazim aventurën e tyre në Europa League, por sot vjollcët e Paulo Souzës janë dukshëm të favorizuar. Zurich- Osmanlispor është një tjetër sfidë interesante që do të transmetohet në Supersport. Në orën 19 një ndeshje shumë e bukur do të luhet gjithashtu në Gelsenkirshen, mes Schalke 04 dhe Salzburg-ut. Për të kaluar te takimet e orës 21.05, me interes pritet dueli Manchester United-Zorya.

Djajtë e Kuq pas humbjes që pësuan ndaj Feynoord-it do të kërkojnë pikët e para në grupin A, përballë formacionit ukrainas. Roma-Astra është një tjetër ndeshje për të mos u humbur ndërkohë që në Supersport do të transmetohen live edhe duelet Fenerbahce-Feynoord, Olympiakos-Apoel Nikosia dhe Genk Sassuolo.