EDHE 20 VITE S’DO TË PREKEN KUFIJTË E BALLKANIT

Rregullimi aktual i Ballkanit do të mbetet i pandryshuar në 20 vitet e ardhshme dhe nuk besoj se është e mundur ndonjë ndryshim i madh në periudhën e ardhshme, vlerësoi kryesuesi i Kryesisë së BeH-së, Mlladen Ivaniq në intervistë për gazetën e Beogradit “Politika”. Anëtari serb në Kryesinë boshnjake vlerëson se gjendja në Bosnjë e Hercegovinë është keqësuar vitin e fundit, por mendon se paqja në vend nuk është rrezikuar. Sipas tij, të padobishme janë shpresat e disave se me luftë të re eventuale në BeH mund të arrijnë ta shkëputin Republikën Sërpska. I pyetur se si funksionon Kryesia boshnjake në kushte të tensioneve të rritura, ai përgjigjet se marrëdhëniet mes anëtarëve të tij janë normale, sepse, ashtu siç theksoi, “krizat asnjëherë nuk janë shkaktuar nga vendimet e Kryesisë”. Ivaniq potencon se mospajtimet kryesore në BeH janë në relacionin Sarajevë – Banja Lukë, por thekson se përpjekjet për separatizëm nga disa forca në Republikën Sërpska janë pasojë e provokimeve të disa politikanëve boshnjakë në Sarajevë.