Edhe një fëmijë trevjeçar nga Maqedonia do të udhëtojë në Haxh!

Nga Maqedonia do të nisen 70 pelegrinë më shumë se viti i kaluar, përkatësisht 800 pelegrinë, ndër të cilët më i riu është një tre vjeçar, ndërsa më i moshuari mbi 70 vjeç. Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë për Anadolu Agency (AA) thonë se pelegrinët të cilët janë të ndarë në tre grupe dhe do të nisen me datë 25 dhe 26 të këtij muaji, të gjitha procedurat për shkuarje në Haxh i kanë përfunduar, përfshirë edhe kontrollin mjekësor.
Kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, për AA bëri të ditur se hoteli ku do të jenë të vendosur pelegrinët do të jetë në afërsi të vendeve të shenjta ku do të kryhen ritualet fetare dhe deri tek ato mund të shkohet në këmbë. Ai po ashtu theksoi se pelegrinët gjatë gjithë kohës do të jenë të shoqëruar nga një ekip profesional mjekësor që do të jenë në shërbim të tyre.
Shërbimi i vaksinimit të pelegrinëve realizohet nga Ministria e Shëndetësisë. Kreu i BFI-së theksoi se këtë vit u është bërë edhe ulje e çmimit të procedurës së vaksinimit, e cila deri në vitin e kaluar kushtonte 2.500 denarë (40 euro), ndërsa këtë vit kushton vetëm 1.000 denarë (16 euro). Rexhepi theksoi kjo shumë e shërbimit të vaksinimit paguhet nga BFI-ja, ndërsa vaksinat nuk paguhen pasi që tashmë disa vite dhurohen nga Bashkësia e Çështjeve Fetare e Turqisë (Diyanet).
Mirëpo, Rexhepi shprehu shqetësim në lidhje me atë siç tha ai, pagesës së tendave ku do të qëndrojnë pelegrinët në Arafat, gjë e cila u është kërkuar për herë të parë dhe për të njëjtën nuk janë njoftuar në kohë.
“Jemi të befasuar me një risi për të cilën nuk kemi qenë të informuar, edhe atë si duket jo vetëm ne, por të gjithë institucionet që janë të autorizuara për organizim të Haxhit nuk kanë qenë të informuar në kohë. Për herë të parë ndodh kjo që në Arabinë Saudite të paguhet qëndrimi në tendat në Arafat, edhe atë 300 euro për person”, shprehet Rexhepi për AA.
Rexhepi njoftoi se tashmë ka dërguar një shkresë deri te Ministria e Haxhit dhe te kompania përgjegjëse për pelegrinët nga Evropa dhe SHBA-të, në të cilën ka kërkuar të mos paguajnë këtë vit ose të participojnë pjesërisht, për shkak se siç thekson ai, “ky çmim nuk ka qenë i paraparë në aranzhmanet për pelegrinët”.
Çmimi për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit për besimtarët muslimanë nga Maqedonia është 3.900 dollarë amerikan, përjashtuar 300 euro për tendën në Arafat për të cilën nuk dihet nëse do të paguhet. Ata do të udhëtojnë me linjën ajrore Shkup-Jedahh, ndërsa kthimi do të jetë më 9 shtator nga Medina në Shkup.