Edhe Parisi me ndotje alarmante

Horizonti i Parisit u përfshi nga smogu, teksa qyteti dhe rajonet e tij përballen me një alarm dy-ditor të ndotjes, për shkak të kushteve meteorologjike. Agjensia rajonale e shëndetit ka kërkuar që banorët të minimizojnë aktivitetet fizike për të reduktuar impaktin e ndotjes në shëndetin publik.
“Kjo ndotje, në njërën anë vjen si shkak i rritjes së emetimeve, shkaktuar nga temperaturat më të ftohta. Pra po përdoret më shumë ngrohje. Ne gjithashtu kemi të tjera burime të ndotjes – trafiku dhe prodhimi. Këta faktorë krijojnë një akumulim të ndotjes dhe kushtet meteorologjike pengojnë shpërbërjen e ndotësve,” u shpreh meteorologu Lionel Guiseppin.
Ai gjithashtu shtoi se ndotja në Paris është rritur përgjatë vitit, duke përllogaritur se mbi 1.1 milionë banorë në rajonin e Ile-de-France janë rregullisht të ekspozuar ndaj niveleve të larta të ndotjes. Rekomandimet e policisë përfshijnë uljen e shpejtësisë maksimale të automjeteve në 20 km/h, reduktimin e emetimeve të prodhimit si dhe ndalimin e djegies së mbetjeve organike në ajër të hapur. Stephan Bourgeois, një banor në periferi, i cili udhëton drejt Parisit, thotë se ai e vuri re ndryshimin kur mbërriti në qytet.
“Është e vërtetë, e shoh rregullisht kur mbërrij në stacionin e trenave në Paris, cilësinë e ajrit. Është e qartë, gjithnjë mund ta ndjesh diferencën.”
Sidoqoftë, jo të gjithë ishin të vetëdijshëm për këtë nivel ndotjeje.
“Qielli është blu, kështu që mund të jetë psikologjike, por ndiej se po marr frymë siç duhet. Është ftohtë. Mund t’i nuhas tubat e shkarkimit, por nuk ndiej se marr frymë keq,” u shpreh Alice Lombard.
“Nuk mund ta bëjmë diferencën sepse jemi përherë brenda ndotjes. Edhe nëse nuk e përjetojmë gjithnjë këtë nivel, jemi me gjasa pranë tij. Nuk jemi veçanërisht të vetëdijshëm për këtë,” shtoi Olivier Dervin.
Edhe pse alarmi pritet të hiqet, nivelet e ndotjes do të vijojnë të mbeten të larta në kryeqytetin francez.
/Oranews.tv/