Edhe pse nuk janë muslimane, vënë hixhabin për një muaj

Duke marrë shkas nga Dita Botërore e Hixhabit, shtatë femra kanadeze nga Fort McMurray, Alberta, edhe pse nuk janë muslimane, kanë vendosur të mbulojnë kokat e të qëndrojnë larg pijeve për një muaj, një nismë e quajtur “Motëria e hixhabit”.

Një pjesë e tyre janë nxitur për vënien e hixhabit nga sulmi me armë në një xhami të Kebekut, e të tjerat thonë se nuk u pëlqen përgjithësimi i padrejtë i muslimanëve si terroristë.

Mes islamofobisë në rritje, këto femra, që kërkojnë të solidarizohen me bashkëqytetaret e tyre muslimane, e përshkruajnë këtë përvojë si mjaft pozitive.

Nismëtaret e mbajtjes së hixhabit kanë treguar se ndjehen të fuqizuara kështu, e se kjo i ka ndihmuar të krijojnë miqësi të reja me muslimanët përreth tyre.

Tarra Melanson, njëra prej jomuslimaneve që ka zgjedhur ta mbajë hixhabin për një muaj, rrëfen se ndihet më përfaqësuese e feminizmit me hixhab se pa të.

Në Kanada jetojnë mbi një milion muslimanë; rreth 3.2 për qind e popullsisë. Shpesh ata vihen në shenjë të akteve islamofobe, por nuk mungojnë dhe nisma të tilla solidarizimi me ta.