Edhe tre ditë afat për formimin e Qeverisë së re

Mandati edhe për tre ditë tjera do të jetë në duart e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, por çelësi kryesor për këtë është tek Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, prej ku çdo ditë sinjalizojnë se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se janë duke i analizuar të gjitha mundësitë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas analistit Ismet Ramadani, BDI është në dijeni që nëse koalicionon me OBRM-PDUKM-në, do ta humbasë legjitimitetin e përfaqësuesit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe kjo do të reflektohet edhe me humbjen e përkrahjes nga elektorati shqiptar në zgjedhjet e ardhshme.

Ish funksionari i lartë i LSDM-së, Esad Rahiq për TV21 tha që tash është momenti i duhur për t’i dhënë fund koalicionit mes OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së.

Ndërkaq, LSDM-ja javëve të fundit ka vazhduar të heshtë në lidhje me platformën e partive shqiptare, por tërë kohën përsërit që Gruevski nuk do të arrijë ta merr mbështetjen e Ali Ahmetit për formimin e shumicës së re parlamentare.

Përndryshe, detajet e negociatave edhe përkundër insistimit të opinionit publik, nuk publikohen, por burimet tona nga BDI-ja thonë se subjekti i tyre nuk është unanim për koalicionimin eventual me Gruevskin. Pritet që nesër të mblidhet Këshilli Qendror dhe të vendoset për hapat e mëtutjeshme.