Egjipti për herë të 8-të, në finalen e Kupës së Afrikës

Është Egjipti skuadra e parë finaliste e këtij edicioni të Kupës së Afrikës, kompeticion që po zhvillohet aktualisht në Gabon.

Të besuarit e trajnerit Hector Cuper, mposhtën në gjysmëfinale pas goditjes së penalltive Burkina Fason, teksa koha e rregullt dhe 30 minutat e shtesës përfunduan në barazim 1-1.

Salah me një supergol u duk sikur i dha kualifikimin, Faraonëve, por Bance u përgjigj për Burkina Fason. Shtesa nuk prodhoi asgjë dhe u nevojit goditja e penalltive për të përcaktuar skuadrën fituese.

Falë dy pritjeve të portierit 44-vjecar El Hadary i cili u shndërrua papritur në heroin e mbrëmjes, Egjipti u kualifikua në finalen e madhe të Kupës së Kombeve të Afrikës për vitin 2017, aty ky ekipi i Hector Cuper do të synojë të fitojë për herë të të 8-t në histori këtë kompeticion.

Në Liberville, rastin e parë për gol e krijoi Burkina Faso, por El Hadary devijoi në këndore goditjen me të djathtën të Blatit.

E nisi shumë më mirë ndeshjen skuadra e trajnerit portugez Paulo Duarte, me Bance që në të 16-tën iu afrua ndjeshëm golit. Rastin e parë Egjipti e krijoi një minutë më pas me Trezeguet, por topi për fare pak përfundoi jashtë.

Në fillim të pjesës El Hadary që se ka aspak problem moshën, ishte sërish protagonist duke evituar një gol të sigurtë të Bertrand Traore.

Në të 66-tën u zhbllokua më në fund sfida me Salah që shpiku një gol të bukur për avantazhin e Faraonëve. Por nuk vonoi shumë dhe në të 73-tën, Bance bëri gjithcka mirë duke mposhtur El Hadary-in dhe duke barazuar shifrat.

Në minutat e mbetura, Burkina Faso provoi ta fitonte ndeshjen, por Egjipti rezistoi dhe sfida shkoi në shtesë. Edhe në 2 pjesët nga 15 minuta rastet më të mira i krijoi skuadra e trajnerit Duarte, por nuk ja doli të gjente dot golin e avantazhit. Gjithcka u vendos nga penalltitë aty ku Egjipti nisi gjithcka keq sepse Koffi ndali tentativën e parë El Said, por Burkina pasi realizoi 3 goditjet e para humbi 2 të fundit me El Hadary-in që priti goditjet e Kouakou dhe Traore, duke i dhënë kualifikimin Faraonëve sepse në krahun tjetër Salah me shokë realizuan të gjithë me rradhë.

Falë këtij suksesi Egjipti skuadra më e titulluar e Kupës së Afrikës e sheh veten në finalen e madhe aty ku do të provojë ta fitojë për herë të të 8-të këtë kompeticion./SuperSport