Ejup Alimi në Kumanovë: Shqiptarët meritojnë mandat të fuqishëm

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) takuan qytetarët e Kumanovës para të cilëve u shpërnda mesazhi se ky subjekt jo vetëm fitore, por synon fitore bindëse, pasi vetëm ajo mund të garantojë mirëqenien e qytetarëve shqiptarë në vend.
Kandidati i Njësisë Zgjedhore nr.2 Ejup Alimi, para kumanovarëve tha se vota për BDI-në do të ishte votë për barazinë, si në sferën ekonomike edhe atë sociale në vend.
“Ne dalim para jush që të kërkojmë një mandat të fuqishëm për shqiptarët e Kumanovës, por edhe për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Këtë e bëjmë për të rrumbullakësuar barazinë e gjuhës shqipe, për të barazuar ekonomikisht shqiptarët me të tjerët, pasi më tepër se një shekull është bërë padrejtësi në trojet tona. Ka ardhur koha që përbrenda sistemit të bëjmë barazinë ekonomike dhe të ndërtojmë politika të përbashëkta për gjeneratat që vijnë. Bazament ekziston pasi ne tashmë kemi më shumë se 25 mijë studentë shqiptarë që studiojnë në Maqedoni, andaj unë besoj se ju bashkë me ne, do të përkrahni vizionin e liderit Ali Ahmeti”, deklaroi bartësi i listës për njësinë 6, z.Ejup Alimi.
Shefi i Shtabit Zgjedhor, z.Bekim Neziri, pos përkrahjes, rikujtoi banorët se BDI do vazhdojë angazhimin në trasenë e filluar qysh kohë më parë. Sipas z. Neziri, të bërat dihen, tashmë duhet vepruar në drejtim të të ardhmes, asaj çka na pret pas 11 dhjetorit.
“Është e padiskutueshme dhe të gjithë e dimë së BDI do të jetë fituese në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Këtë jo që e themi ne, këtë e thonë të gjitha shtëpitë hulumtuese që merren me anketime të ndryshme. Lufta apo beteja do të bëhet pas datës 11 dhjetor. Neve na mbetet të angazhohemi deri në ditën e zgjedhjeve e më pas do të nisim betejat e reja. BDI kishte një aktivitet të cilin e quajtëm “raportojm”, atë që e premtuam në vitin 2014 dhe konstatim i përgjithshëm ishte, edhe pse kishim një mandat të cunguar, arritëm që 71 për qind të projekteve të programit të atëhershëm t’i realizojmë”, u shpreh z. Neziri.
Aktivitetet e fushatës në Kumanovë, do të vazhzdojnë në tubimin e madh që pritet të nisë në ora 19.30 në Pallatin e Kulturës.