Ekipi shqiptar që bën video lojra e bazuar në Tetovë

ShroomApps është një ekip që zhvillon video lojëra e bazuar në Tetovë, Maqedoni.
Pasi që secili nga 4 themeluesit korrën sukses në profesionet e tyre, ata më në fund vendosën se janë të aftë për të sjellur në jetë video lojëra.
Me Ermal Selimin dhe Drilon Rexhepin si programues, Liridon Rexhepin që kujdeset për efekte të zërit dhe muzikë dhe Besar Iljazin si animator dhe dizajner, loja e tyre e parë “Airpocalypto: The City of Smog” sapo u publikua dhe është në dispozicion në Google PlayStore pa pagesë, me synim që së shpejti të jetë në dispozicion edhe për iOS.
Airpocalypto është një lojë e krijuar për të ngritur ndërgjegjen dhe për të zvogëluar tolerancën ndaj ndotjes së ajrit.
Protagonisti i lojës, Oxy, një djalë nga Tetova, humb të afërmit e tij ndaj ndotjes. Ai e dinte që bota kishte nevojë për një ndryshim, kështu që ai vendosi ta bëjë ndryshimin.
Loja përmban 2 skena: “Save Your City” ku personazhi Oxy kalon nëpër një fabrikë metalurgjike, kërcen mbi mbeturina dhe mbledh filtra në mënyrë që të shpëtojë qytetin e tij duke pastruar sa më shumë fabrika. Ndërsa skena tjetër është “Survival Mode” në të cilën karakteri Oxy vrapon përmes një qyteti apokaliptik dhe mbledh maska për t’i shpëtuar smogut, rrëshqet nën shenja të ndryshme dhe përballohet me shumë pengesa të tjera.
Ndotja, vrasësi i heshtur, por, vdekjeprurës, një nga armiqtë më të rrezikshëm të njerëzimit. Ndotja e ajrit ka filluar të tërhjek vëmendjen e botës që në fillim të viteve 50-ta dhe që atëherë protesta, organizata, reklama dhe forma të tjeta kundërshtimi ndaj ndotjes së ambientit janë shfaqur, por, në fund ndotja ka fituar gjithësesi.
Krijimi i kësaj loje ishte mënyra e tyre për të protestuar dhe për të ngritur vetëdijen e popullit kundër shkatërrimit të mjedisit tonë. Tetova, qyteti në të cilin ata jetojnë, u ndot aq shumë sa që u rendit si qyteti më i ndotur në botë. Faktet thonë që shkaktarët kryesorë janë djegiet e mbeturinave, transporti i mbingarkuar dhe mbi të gjitha fabrika masive metalurgjike që funksionojnë pa filtra.
ShroomApps nëpërmjet lojës së tyre përpiqen t’i tregojnë njerëzve se ndoshta ndotja e ajrit do të jetë gjithmonë aktuale, por, njëkohësisht do të ketë edhe një “Oxy” i cili do të mbledhë maska, filtra, do të luftojë për t’iu shmangur smogut dhe më e rëndësishmja, do të bëjë çmos për të zvogëluar ndotjen e ajrit për të shpëtuar miliona jetë.
Kur u pyetën nëse kjo është loja e tyre e fundit, themeluesit e ShroomApps na premtuan se ky është vetëm fillimi dhe se do të krijojnë edhe shumë lojëra të tjera që të na bëjnë përditshmërinë më argëtuese.Ja dhe linku:https://play.google.com/store/apps/details?id=com.shroomapps.airpocalypto