Ekspertët: Fondi pensional, të reformohet!

“Kemi diçka që objektivisht ndodhë në ekonominë botërore, e kjo është plakja e popullatës dhe vazhdimi i jetëgjatësisë së popullatës së vjetër. Pra, në përgjithësi ekziston problem sistemor në Fondin. Por, tek ne problemi kryesorë është mënyra e menaxhimit të shtyllës shtetërore pensionale”, tha Kërste Shajnovski, profesor universitar.

Një pjesë e ekspertëve konsiderojnë se gjendja në Fondin Pensional është përkeqësuar dukshëm pas uljes së normës së kontributit për sigurim pensional.

“Kjo është nga viti 2009, pasi filloi ulja e dukshme e normës së kontributit për sigurim pensional, që do të thotë ulje e drejtpërdrejtë e të ardhurave të Fondit. Kjo do të thotë krijim të një deficiti të madh i cili për çdo muaj kompensohet me transferime buxhetore”, theksoi Zorica Apostolska, ish drejtore e MAPAS.

Banka Botërore alarmoi se rritet varshmëria e Fondit Pensional nga transferimet buxhetore, që e bën të paqëndrueshëm në afat të mesëm edhe afatgjatë. Vitin e ardhshëm për pagesë me kohë të pensioneve, nga buxheti qendror Fondit Pensional do t’i transferohen 452 milion euro, që është tre fish më shumë sesa para 12 viteve.

Sonja Jankovska