Ekspertët: Reformat në MPB, urgjente dhe të pashmangshme (VIDEO)

Ministria e Punëve të Brendshme është dikasteri i cili ka nevojë më së shumti nevojë për reforma rrënjësore. Ekspertët konsiderojnë se zhvillimet e 27 prillit kanë dëshmuar nevojën e reformimit të MPB-së duke filluar nga zyrtarët e thjeshtë policorë e deri tek eprorët dhe drejtorët e organeve brenda këtij dikasteri. Ish shefi i Kontrollit të brendshëm pranë MPB-së, Voisllav Zafirovski vlerëson se reformat në polici duhet të fillojnë nga ndryshimi i sistemit organizativ në MPB.

Edhe ngjarjet e fundit vërtetuan se policia është totalisht e partizuar. Duhet të bëhet departizim i plotë i policisë, të riorganizohet i tërë sistemi udhëheqës i Byrosë së Sigurimit Publik dhe mbi gjitha ndryshimet dhe reformat në Drejtorinë e Sigurisë dhe Kundërzbulimit. Kemi shkollë të mesme për parukierë dhe nuk kemi shkollë të mesme të policisë. Partizimi i policisë filloi të bëhet në momentin kur është mbyllur shkolla për polici. Gjithsesi se i nevojshëm është edhe ekipi i cili do të zbatojë politikat e definuar – u shpreh Voisllav Zafirovski, Ish shef Kontrollit të Brendshëm.

Profesori universitarë Qebir Avziu se reformat e Qeverisë së re do të vlerësohen në bazë të reformave që do t’i bëjnë në polici. Sipas tij në reforma do të luaj rol edhe ndihmës ministri dhe Kontrolli i brendshëm.

Sigurisht që reformat janë shumë të nevojshme në MPB pasi që ky dikaster është i robëruar jo vetëm para 27 prillit por për 26 vite sa ekziston Maqedonia. Tani është mundësia që drejtori i DSK-së dhe BSP-së të zgjidhen në mënyrë transparente. Ky do të jetë testi i parë i Qeverisë për të vërtetuar nëse është vërtetë reformatore apo ka për qëllim zgjedhjen e personave politik. Tani është momenti që ministri menjëherë të shkarkojë dhe të emërojë person tjetër si ndihmës ministër për Kontrollin e Brendshëm sepse ky është njëri nga dikasteret më të rëndësishëm në MPB – tha Qebir Avziu, Profesor universitar.

Policia e Maqedonisë ishte njëri ndër indikatorët për ndodhitë e 27 prillit në Kuvend. Pjesëtarët e policisë nuk ndërhynë profesionalisht, ndërsa shefi i shtabit operativ kishte shkëputur çdo komunikim me ministrin e Brendshëm. Të gjitha këto veprime ishin marrë si pasojë e ndikimit politik. Si pasojë e këtij ndikimi, Maqedonia u ballafaqua edhe me skandalin historik të përgjimeve. Të njëjta përgjime gjithashtu konfirmuan mbi keqpërdorimet Shërbimeve inteligjente, zyrtarëve policorë nëpër procese zgjedhore, montime të rasteve politike dhe punësime në linja partiake. Qeveria e re në programin qeveritarë ka paraparë reforma të cilat do të bazohen në përmirësimin e standardit policorë, ristrukturimin e organeve policore dhe riemërimin e eprorëve nëpër sektorë të kësaj ministrie./alsat-m