Ekspertiza e bisedave do t’i lirojë së shpejti të burgosurit e Kumanovës

Kontestimi i bisedave të përgjuara të Grupit të Kumanovës të cilat ditë më parë i shpalosi Prokuroria në seancë gjyqësore, rrit dyshimet për manipulime gjatë procesit të gjykimit.

Ekspertët rekomandojnë ekspertizë zëri por një mundësi e tillë nuk ekziston në Maqedoni.

“Tani është radha e prokurorit që të tregojë se pikërisht ato biseda janë të tyre, ndërsa kjo bëhet vetëm përmes ekspertizës. Kemi njohuri se disa prej “bombave” të opozitës u është bërë ekspertizë. Ne nuk kemi një mundësi të tillë teknike në Maqedoni dhe patjetër duhet të bëhet jashtë vendit, gjë që vë në pikëpyetje çmimin dhe kohën”, shprehet eksperti juridik, Zvonko Davidoviq.

Davidoviq shton se epilogu përfundimtarë i rastit “Lagja e Trimave” në rast ekspertize të zërit do të zvarritej dhe më këtë të paraburgosurit duhet të lirohen.

“Gjatë hetimit, paraburgimi mund të zgjasë 6 muaj. Nga ngritja e aktakuzës deri në vendimin e shkallës parë nuk duhet të kalojnë më shumë se dy vite, në të kundërtën duhet të lirohen. Mundësia për këtë ekziston nëse i bëhen ekspertizë provave. Ky gjyqësor din se si të manipulojë me ligjin, jo rastësisht e quajnë Swarovski”, shton Zvonko Davidoviq.

Avokatët thonë se në rast vërtetimi të manipulimeve nga Prokuroria do të kërkohet ekspertiza e zërit. Në seancën e fundit, të akuzuarit kontestuan vërtetësinë e bisedave të prezantuara.
“Këto reagime janë të qarta pasi që çdo i akuzuar e njeh zërin e vet por edhe ne si palë mbrojtëse si edhe trupi gjyqësorë jemi në dije për këtë. Është evidente që bëhet fjalë për persona tjerë dhe jo për ata që ceken me emër dhe mbiemër nga kryetar i trupit gjyqësor”, tha avokati Naser Raufi.

Kanë mbetur edhe disa seanca deri në përfundimin e leximit të transkriptimeve nga bisedat e përgjuara. Më pas pason faza e plotësimit të aktakuzës ku fjalën do ta ketë mbrojtja. Avokatët mbrojtës janë marrë vesh që aktakuzën ta plotësojnë me një listë të përbashkët ku do të propozohen provat, dëshmitë dhe dëshmitarët. Në rast se mbrojtja nuk pajtohet me vendimin gjyqësorë në fund të procesit, do të shfrytëzojë të drejtën e apelimit. (INA)